Lajmet e fundit

Dëgjim publik për arsimin dhe aftësimin për të rritur

, 11.05.2005




Komisioni për arsim, shkencë, teknologji , kulturë, rini dhe sport i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Enver Hoxhaj, kryetar i komisionit, organizoi sot një dëgjim publik , lidhur me Projektligjin për arsimin dhe aftësimin e të rriturve, i cili është miratuar në parim nga ana e Kuvendit të Kosovës.
Pjesëmarrësit ishin të pajtimit se ky ligj është më se i nevojshëm për vendin, duke ditur nevojat për arsimim e aftësim, si dhe kërkesat e tregut për kuadro të kualifikuara dhe të rikualifikuara. Të gjithë mbështeteshin në parimin se arsimimi dhe aftësimi gjatë gjithë jetës është një e drejtë e patjetërsueshme, por dhe një faktor që reflekton perspektivë, si te ata që përfshihen në këto rrjedha, ashtu edhe në biznes.

Ligji do të reduktonte cilësinë e trajnimeve

Nga përfaqësuesi i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, e cila është sponsoruese e projektligjit, u tha se ky projektligj është në pajtim edhe me modelet e Unionit Evropian.
Mbase edhe nga vetë problematika shumë e gjerë që përmbledh e definon ky projektligj, pjesëmarrësit kishin edhe shumë sugjerime e vërejtje në tekstin e projektligjit, të cilat vinin më shumë nga përfaqësuesit e subjekteve ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me këtë fushë në Kosovë, si dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Nëse ky projektligj aprovohet nga ana e Kuvendit të Kosovës, thonin përfaqësuesit e pranishëm ndërkombëtarë, atëherë Kosova do të rrezikohet të humbë programet e trajnimit, të cilat do të mund të orientohen në shtete të tjera të Rajonit. Në këtë mënyrë, ligji do të reduktonte cilësinë e trajnimeve në Kosovë.

Strategji koherente arsimimi

Arsimimi dhe aftësimi gjatë tërë jetës është i hapur dhe nuk mund të jetë shteti ai që të diktojë se si e nga do të mësojë i interesuari, tha një diskutues.
Perceptohej një lloj kundërshtie në këtë mes, se brenda synimit për përcaktimin e një fushe joformale, ajo formalizohet , në trajta të monopolit, në vend se të shkohej drejt decentralizimit. Disa pjesëmarrës shtronin dilema edhe sa i përket çështjes së mbulesës financiare me rastin e sendërtimit të këtij ligji, pastaj se nuk është definuar mirë qëllimi dhe synimet , si dhe subjektet dhe kategoritë që përfitojnë nga ky projektligj, madje se projektligji shoqërohet edhe nga ngurtësia, të përshkuara nga angazhime për ndërtimin e një strategjie koherente të arsimimit dhe aftësimit.
U dha zotimi se idetë, vërejtjet dhe sugjerimet do të sheshohen në procedurën e mëtejme të plotësimit e amendamentimit të këtij Projektligji.

Dëgjim publik  për arsimin  dhe aftësimin për të rritur