Lajmet e fundit

Vizitë e frytshme e delegacionit parlamentar të Kosovës në Paris

, 11.05.2005




Delegacioni parlamentar i Kosovës, i udhëhequr nga kryeparlamentari Nexhat Daci, në përbërje të të cilit janë anëtarët e Kryesisë: Fatmir Sejdiu, Xhavit Haliti, Ramë Buja, Naim Maloku, Gazmend Muhaxheri dhe Xhezair Murat, si dhe Sabri Hamiti, kryetar i Komisionit për bashkëpunim ndërkombëtarë dhe integrime euro-atlantike, po vazhdon vizitën zyrtare në Paris, përkatësisht në Asamblenë Nacionale të Francës.

Gjatë ditës së djeshme delegacioni nga Kuvendi i Kosovës pati disa takime në Asamble, si: me François Baroin, nënkryetar i Asamblesë Nacionale dhe kryetar i delegacionit të Zyrës e ngarkuar me aktivitete ndërkombëtare, me Grupin për studime mbi Kosovën, i prirë nga kryetari i këtij grupi z. Rene Andre, deputet nga La Manche (grupi UMP), ndërsa morën pjesë edhe në një seancë plenare ku i shtroheshin pyetje Qeverisë.

Ndërkaq, gjatë ditës së sotme delegacioni nga Kosova u takua me Jean Louis Pezant, anëtar i Këshillit Kushtetues, me z. Jean François Terral, drejtor për Evropë në Ministrinë për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Edouard Balladur, kryetar i Komisionit për marrëdhënie ndërkombëtare dhe me Xavier Roques, sekretar i përgjithshëm i Kuesturës.

Në këto takime mjaft të frytshme u bisedua për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit të Kuvendit të Kosovës më Asamblenë Nacionale të Francës, praktikat parlamentare të Asamblesë , ndërsa vëmendje e veçantë iu kushtua punës së komisioneve dhe amendamentimit të ligjeve.