Lajmet e fundit
Nga dëgjimi publik për Projektligjin për procedurat administrative
, 13.05.2005
Organizuar nga Komisioni për Shërbime Publike, Administratë Lokale dhe Media, sot në Kuvendin e Kosovë është mbajtur dëgjimi publik për Projektligjin për procedurat administrative, i drejtuar nga kryetarja e komisionit, Nekibe Kelmendi.
Merrnin pjesë ekspertë të administratës
Në takimin në të cilin, pos anëtarëve të komisionit merrnin pjesë edhe përfaqësues të administratës së përgjithshme të komunave të Kosovës, përfaqësues të Gjykatës Supreme, të Shoqatës së Juristëve, të Odës së Avokatëve, të Institutit të Administratës Publike, si dhe profesorë universiteti e ekspertë të njohur juridikë të Kosovës, është analizuar gjithanshëm Projektligji për procedurat administrative dhe janë dhënë propozime të vlefshme për plotësimin e tij para se ta miratojë Seanca Plenare e Kuvendit të Kosovës.
Kosova përfundimisht shkëputet nga sistemi juridik i një vendi të huaj
Folësit e shumtë në këtë dëgjim publik janë shprehur pozitivisht për rëndësinë shumë të madhe të projektligjit në fjalë, jo vetëm pse me miratimin dhe zbatimin e tij rregullohet një segment i rëndësishëm i funksionimit të administratës, por edhe për faktin që Kosova përfundimisht shkëputet nga sistemi juridik i një vendi të huaj.
Për konfliktin e kompetenca të organeve të vendos kryetari i komunës
Megjithatë, gjatë këtij dëgjimi i janë bërë vërejtje të shumta Projektligjit për administratën publike, si për çështjen e konfliktit të kompetencave, saktësimin më të mirë të afateve dhe plotësimin e parimit të dëgjimit të palës, unifikimin e gjuhës juridike etj. Me rastin e konfliktit të kompetencave të organeve të administratës komunale, është kërkuar që për kompetenca të organeve të vendos kryetari i komunës dhe jo gjykata, siç precizohet në projektligj.
Është kërkuar gjithashtu që në rast të hapjes së procedurës administrative, çdo palë të ketë të drejtën për përfaqësues të cilin e autorizon personi përkatës.