Lajmet e fundit

Mbledhja e rregullt e Komisionit për të drejtat dhe interesat e komuniteteve dhe kthim të Kuvendit të Kosovës

, 24.05.2005




Komisioni për të drejtat dhe interesat e komuniteteve dhe kthim i Kuvendit të Kosovës të cilin e ka kryesuar z. Rangjell Nojkiqi, kryetar, ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt në të cilën pikë kryesore e rendit të ditës ishte: Raporti përkitazi me kthimin e refugjatëve në Kosovë nga vendet perëndimore, të cilin e kishte përgatitur Zyra për Kthim dhe Komunitete e Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm në Kosovë. Raportin e përmendur e ka paraqitur drejtori i Zyrës për Kthim dhe Komunitete i PSSP-së në Kosovë, z. Killian Klaeinschmidt.

Në mbledhjen e përmendur duke bërë fjalë për procesin e kthimit të refugjatëve në Kosovë, nga vendet perëndimore, z.Killian Kleinschmidt ka theksuar se deri më tash në kuadër të këtij lëmi janë nënshkruar 39 marrëveshje, dhe sipas shënimeve zyrtare që i posedon kjo zyrë, në Kosovë janë kthyer më shumë se 12.000 refugjatë, dhe këta jo vetëm nga vendet perëndimore. Në diskutimin e tij të mëtejmë z. Killian ka theksuar se nga viti 1999 shumë vende nga Evropa, pikërisht Gjermania, Zvicra, Luksemburgu, Suedia dhe Anglia iu kanë ofruar vendstrehim kosovarëve, mirëpo për shkaqe të caktuara objektive ka ardhur koha që këto vende nuk kanë mundësi që edhe më tej t’iu ofrojnë vendstrehim qytetarëve tanë, për këto arsye ata tani duhet kthyer në vendlindje të tyre. Duke përmendur se në kohën e fundit është aktuale kthimi i refugjatëve nga Gjermania, z.Killian, ka theksuar se deri në fund të këtij viti nga ky vend do të kthehen gjithsej 2.000 refugjatë, ndërsa gjatë disa muajve të ardhshëm afro 400 sish, ndërsa javën e kaluar me aeroplan në liniën e rregullt nga Gjermania janë kthyer 35 refugjatë, në mesin e të cilëve ishin pjesëtarët e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas. “Në procesin e mëtejmë të kthimit përveç pakicave nacionale të theksuara do të kthehen në shtëpitë e tyre edhe pjesëtarë të tjerë të nacionaliteteve të ndryshme, dhe njëherit edhe pjesëtarët e popullit shqiptar të cilët do të përfshihen në këtë proces”, ishin këto përveç të tjerash fjalët e z. Killian në mbledhjen e theksuar.

Në punën e mëtejme të kësaj mbledhjeje, anëtarët e këtij Komisioni kanë kërkuar që për shkak të situatës së gjithmbarshme në Kosovë, procesi i kthimit të refugjatëve nga Perëndimi të ngadalësohet, dhe se nga ana e bashkësisë ndërkombëtare për të kthyerit të ndërtohen shtëpi të reja, të ndihmohen materialisht për nevojat e tyre personale etj. Njëherazi, është theksuar që bashkësia ndërkombëtare, së bashku me Qeverinë e Kosovës, duhet të hartojnë një strategji të qartë për kthimin e refugjatëve nga vendet perëndimore në Kosovë.
Mbledhja e rregullt e Komisionit për të drejtat dhe interesat e komuniteteve dhe kthim të Kuvendit të Kosovës