Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci takoi udhëheqjen komunale të Gjilanit
, 30.05.2005
Zhvillimet aktuale në Komunën e Gjilanit, reforma e pushtetit lokal, si dhe realizimi i standardeve ishin tema kryesore të takimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, me kryetarin e Kuvendit Komunal të Gjilanit , Xhemajl Hyseni dhe kryeshefin e Ekzekutivit, Enver Muja. Në takim, Komuna e Gjilanit u përmend si një shembull i mirë i realizimit të standardeve, si dhe për kultivimin e marrëdhënieve të mirë ndëretnike. Udhëheqja komunale e Gjilanit konstatoi se në këtë komunë çështje parësore është integrimi i minoriteteve në të gjitha rrjedhat e punës dhe të jetës , që pjesëtarët e minoriteteve të jenë qytetarë të barabartë, pra ekziston një angazhim për një integrim funksional.
Duke folur për procesin e decentralizimit u tha se nuk ishte propozim i strukturave komunale të Gjilanit që Parteshi të formohet si njësi nënkomunale , mirëpo Komuna e Gjilanit i jep përkrahje procesit të reformimit të pushtetit lokal dhe eksperimenteve në këtë fushë, por assesi nuk pajtohet që në kuadër të pilot projektit të rigrupohen serbët e Anamoravës dhe ta ndajnë Komunën më dysh.
Në vijim udhëheqja komunale evidencoi edhe disa parametra mjaft trimërues të pjesëmarrjes së minoriteteve në punësim, në këtë Komunë. Kështu, shkalla e punësimit të minoriteteve është 24 për qind, kundruall shifrës 19 për qind sa marrin pjesë ato në strukturën e popullsisë.
Për të gjitha këto rezultate, kreu i legjislativit të Kosovës, Nexhat Daci, përgëzoi udhëheqjen komunale, duke u angazhuar për zhvillime të mëtejme. Si një komunë që shtrihet në trekëndëshin Kosovë - Serbi- Maqedoni, ai inkurajoi udhëheqjen e Gjilanit që të jetë e hapur ndaj këtyre viseve , për hapjen e rrugëve të reja, për të mundësuar një zhvillim edhe më të madh ekonomik të kësaj ane .
Përkitazi me projektin e decentralizimit kryeparlamentari tha se ky proces ka marrë përkrahje, por kjo nuk do të thotë se çdo pilot projekt do të jetë i suksesshëm, sepse duhet të kemi regjistrim të popullsisë dhe ndarje administrative. Kjo nuk mund të bëhet me vendime administrative, pasi këto çështje janë të determinuara edhe nga shumë faktorë që duhet të merren parasysh. Me këtë rast udhëheqja komunale i bëri edhe një ftesë kryeparlamentari Daci që të vizitojë Gjilanin, ftesë kjo që u prit me kënaqësi.