Lajmet e fundit

Daci priti shefin e OSBE-se,Werner Wnendt

, 30.05.2005




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot shefin e OSBE-së në Kosovës, ambasadorin Werner Wnendt dhe ka biseduar me te për punën e Kuvendit të Kosovës në të ardhmen, për raportet pozitë-opozitë në Parlament dhe për marrëdhëniet me OSBE-në.

Daci e ka vlerësuar bashkëpunimin e Kuvendit të Kosovës me OSBE-në, sidomos ka vënë në pah punën e mirë të Departamentit për Demokratizim.

Vullnet i dyanshëm për një partneritet të shëndosh

Në takim është konstatuar vullnet i dyanshëm për një partneritet të shëndosh ndërmjet Parlamentit dhe OSBE-së, për tu ndihmuar në evitimin e dobësive, gjithsesi duke evituar diktatet eventuale.

Vlerësohet debati për decentralizimin

Shefi i OSBE-së në Kosovë, Werner Wnendt, e ka vlerësuar të frytshëm dhe demokratike debatin në seancën e fundit për reformimin e pushtetit lokal dhe ka spikatur nevojën që opozitës t’i lihet hapësirë më e madhe për iniciativa parlamentare.

OSBE vazhdon minitorimin

Ai ka shprehur qëndrimin e OSBE-së për të vazhduar monitorimin e Kuvendit të Kosovës.

Kryeparlamentari lavdëron deputetët nga opozita

Kryeparlamentari Daci i ka thënë mysafirit se nuk është refuzuar asnjë projekt i opozitës për debat në Kuvend. Ai i ka lavdëruar deputetët nga radhët e opozitës se punojnë me zell nëpër komisionet parlamentare të Kuvendit dhe veprojnë në mënyrë jokonfliktuoze.

Grupi i Kontaktit dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së kanë bërë valorizim të mirë të punës në Kosovë

Në takim është biseduar edhe për bashkëpunimin rajonal dhe evropian. Bashkëbiseduesit janë pajtuar se Grupi i Kontaktit dhe Këshilli i Sigurimit i OKB-së kanë bërë një valorizim të mirë të punës në Kosovë dhe të institucioneve, duke i theksuar edhe detyrat për të ardhmen e afërt, të cilat bashkërisht do të kalohen me sukses, kanë konstatuar Daci dhe Werner.

Daci priti shefin e OSBE-se,Werner Wnendt