Lajmet e fundit
Komisioni i bashk.nd. për politikën e dialogut
, 31.05.2005
Në kuadër të strategjisë për ndërtimin e politikës së jashtme për institucionet e vendit, Komisioni parlamentar për marrëdhënie ndërkombëtare dhe integrime euro-atlantike, në mbledhjen e tij të sotme të kryesuar nga deputeti Sabri Hamiti, kryetar i komisionit, ka shtruar për shqyrtim politikën e dialogut, si instrument dhe metodë të veprimeve politike për kohët që po vijnë.
Anëtarët e komisionit janë pajtuar me kryesuesin e takimit se dialogun duhet ta kuptojmë si instrumentin dhe procedurën më të përshtatshme për zgjidhjet politike të situatave postkonfliktuale.
Ata kanë theksuar se politika e dialogut duhet të shtrihet në të gjitha fushat themelore të veprimit të komisionit, të Kuvendit dhe të shoqërisë së Kosovës.
Në këtë vështrim është theksuar nevoja për dialog institucional brenda Kuvendit të Kosovës; dialog ndërmjet qytetarëve dhe entiteteve politike; dialog me shoqëritë në fqinjësi (si nevojë e domosdoshme për marrëveshje në rajon); dialog me përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë dhe dialog me institucionet e vendeve të veçanta të bashkësisë ndërkombëtare.
Ishte konstatim unanim i takimit se shumëçka në Kosovë duhet rregulluar në planin e filozofisë së dialogut, që është parë si mundësia më e mirë për artikulimin e saktë të interesave politike dhe për marrëveshje rreth këtyre interesave.
Anëtarët e komisionit kanë kërkuar që para fjalës së tij në Seancë Parlamentare, kryeministri i Kosovës, Bajram Kosumi, të vije dhe të paraqesë pikëpamjet e tij për bisedimet rreth statusit të Kosovës dhe të dëgjojë sugjerimet e anëtarëve të Komisionit për bashkëpunim ndërkombëtar dhe integrime euro-atlantike lidhur këtë çështje.