Lajmet e fundit

Daci priti një delegacion nga Landi i Saksonisë së Ulët

, 31.05.2005




Një delegacion nga Asambleja e Saksonisë së Ulët, i kryesuar nga kryetari i Asmblesë, Jurgen Gansauer, në përbërje të të cilit kishte përfaqësues të Presidencës së Landit, të Ministrisë së Arsimit, të Universitetit të Hanoverit dhe të Akademisë së Gëtyngenit, është pritur në Kuvendin e Kosovës. Pos kryeparlamentarit Nexhat Daci, në takim kanë marrë pjesë edhe anëtarët e Kryesisë, Xavit Haliti dhe Fatmir Sejdiu, Lufi Susuri nga ASHAK, Enver Hoxhaj, nga Departamenti i Shkencave Politike dhe Sekretari i përgjithshëm, Isuf Demaj.

Falenderim për ndihmën e Gjermanisë

Kryeparlamentari Daci fillimisht, duke i uruar mirëseardhje delegacionit të Saksonisë së Ulët, ka vlerësuar ndihmën e Gjermanisë dhe të popullit të saj për Kosovën dhe ka shprehur vullnetin e institucioneve të vendit për marrëdhënie të mira me Gjermaninë, sidomos në planin ekonomik.

Kosova i ka të gjitha mundësitë për jetë normale dhe zhvillim

Daci ka vlerësuar se me potencialin natyror dhe human që ka, Kosova i ka të gjitha mundësitë për jetë normale dhe zhvillim, si vendet tjera ballkanike.

Ai, ndërkaq, ka vlerësuar se Saksonia e Ulët ka shumë mundësi bashkëpunimi me Kosovën, sidomos në investime ekonomike dhe në sektorin bankar.

Protektoratit ndërkombëtar në Kosovë po i vije fundi

Numri një i legjislativit të vendit ka konstatuar se po i vije fundi protektoratit ndërkombëtar në Kosovë, ka vlerësuar qëndrimet e fundit KS të OKB-së për Kosovën dhe ka kërkuar që vendi ynë të mbështetet në rrugën e pavarësisë.

Kosovarët nuk duan geto

Ai ka shtuar se kosovarët nuk duan që Kosova të jetë një geto, por të integrohet në mekanizmat euro-perëndimorë, me një prani të NATO-s në Kosovë ( në formën e KFOR-it) dhe me një mision këshillëdhënës ndërkombëtar, sidomos në planin e të drejtës ndërkombëtare dhe liritë dhe të drejtat e qytetarëve.

Kosova meriton një pavarësi të njohur ndërkombëtarisht

Kryetari i Asmblesë së Saksonisë së Ulët, Jurgen Gansauer është pajtuar se rezoluta 1244 e KS të OKB-së ishte paraparë vetëm për dy-tri vite dhe se zhvillimet e kanë tejkaluar atë. Ai është shprehur i bindur se Kosova meriton një pavarësi të njohur ndërkombëtarisht dhe se çdo alternativë tjetër do të ishte e pakuptimtë.

Statusi pengesë

Zotëri Gransauer pastaj ka folur edhe për mundësitë e mëdha të bashkëpunimit ekonomik, por ka theksuar se pikërisht çështja e pazgjidhur e statusit pamundëson realizimin e projekteve.

Për një jetë normale

Njerëzit në Kosovë meritojnë një jetë normale, ka thënë kreu i Parlamentit të Landit të Saksosnisë së Ulët, i cili shumë herë në vendin e tij është shprehur guximshëm për të ardhmen e Kosovës.

Delegacioni e Saksonisë së Ulët, i cili do të ketë takime edhe me Qeverinë, Ministrinë e Arsimit, me Universitetin e Prishtinës dhe me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, të mërkurën, në Galerinë e Arteve të Kosovës, do të hapë një ekspozitë të fotografive artistike të artistëve gjermanë, në të cilën eveniment i ka ftuar të marrin pjesë kryeparlamentarin Daci dhe pjesëmarrësit e tjerë në takim.

Daci priti një delegacion nga Landi i  Saksonisë së Ulët