Lajmet e fundit
Daci priti admiralin e NATO-s, Harry Ulrich
, 01.06.2005
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot komandantin e Komandës së NATO-së për Evropën Juglindore në Napoli, admiralin Harry Ulrich, i cili shoqërohej nga komandanti i KFOR-it, gjenerali Ives de Kermabo.
Në këtë takim, i cili vjen vetëm një javë pasi admirali Ulrich e ka marrë detyrën e re, janë biseduar zhvillimet në Kosovë dhe rajon, si dhe rëndësia e pranisë së NATO-s në Kosovë.
NATO ta vazhdojë misionin e saj në Kosovë
Kryeparlamentari Daci me këtë rast e ka falënderuar komandantin e KFOR-it, gjeneralin De Kermabo për punën e mirë që po bën dhe e ka vlerësuar KFOR-in si institucionin më të autoritetshëm dhe më të besueshëm në Kosovë. Në këtë dritë Daci ka kërkuar që Aleanca Veri-Atlantike ta vazhdojë misionin e saj në Kosovë, sepse, siç është shprehur kreu i legjislativit të vendit, NATO ka një vizion shumë të mirë për rajonin dhe për Kosovën.
Më shumë ndihmë për TMK-në
Ai ka kërkuar më shumë ndihmë për TMK-në, sidomos në teknologji dhe shkollimin e kadetëve në akademitë ushtarake të vendeve të NATO-s, si dhe angazhimin e Trupave e Mbrojtjes së Kosovës nëpër misionet ushtarake dhe humanitare të Aleancës Veri-Atlantike.
Admirali Harry Ulrich vlerëson punën e KFOR-it
Admirali, Harry Ulrich ka shprehur përkushtimin e NATO-s për të vazhduar misionin e saj të suksesshëm në Kosovë dhe për sigurimin e paqes në rajon. Ai është shprehur i kënaqur me punën e KFOR-it dhe ka thënë se përshtypjet e para për të arriturat e Kosovës janë pozitive.
Na duhet perspektivë zhvillimi
Në këtë takim shumë miqësor dhe informues për sukseset e arritura të mekanizmave ndërkombëtarë dhe të institucioneve demokratike të vendit, janë ngre edhe shqetësime për mundësitë e dështimit të institucioneve të Kosovës, nëse nuk arrijnë të hapin perspektiva për jetë të mire dhe të sigurt të qytetarëve të Kosovë.
Kosova duhet të jetë pjesë e integrimeve evropiane dhe euro-perëndimore
Mu për këtë kryeparlamentari Daci ka kërkuar që Kosova të ketë qasje në fondet financiare ndërkombëtare. Ai ka thënë gjithashtu se edhe para zgjidhjes së statusit të vendit, Kosova duhet të jetë pjesë e integrimeve evropiane dhe euro-perëndimore.