Lajmet e fundit
Një delegacion multietnik i fëmijëve me aftësi të kufizuara vizitoi Kuvendin e Kosovës
, 01.06.2005
Kuvendin e Kosovës e vizitoi sot një delegacion i fëmijëve me aftësi të kufizuara, në përbërje multietnike, të cilëve iu prinin Hiljmnijeta Apuk dhe edukatorët e tyre. Vizita kishte për qëllim njoftimin me ambientet , punën e Kuvendit të Kosovës dhe institucionet e tij, ndërsa ishte organizuar në kuadër të Ditës ndërkombëtare të fëmijëve .
Për këtë grup fëmijësh u organizua një pritje në Komisionin e Shëndetësisë, punës dhe mirëqenies sociale të Kuvendit të Kosovës, ku u përshëndetën nga kryetarja e këtij komisioni Fatmire Mulhaxha- Kollçaku, nënkryetarja Shpresa Murati dhe anëtarja e komisionit Flora Brovina.
Pasi shprehën kënaqësinë për këtë vizitë, Fatmire Mulhaxha- Kollçaku dhe Flora Brovina thanë se deputetët janë përfaqësues të gjithë popullit të Kosovës, prandaj edhe të fëmijëve me aftësi të kufizuara. Ju keni kërkesa të veçanta, por jeni të barabartë me të tjerët, ndërsa shoqëria duhet të tregojë gjithnjë kujdes që të keni ardhmëri sa më të lumtur, theksuan ato.
Si nga fëmijët, ashtu edhe udhëheqja e tyre, u kërkua që të dëgjohet edhe zëri i fëmijëve, të vetëdijesohet familja dhe tërë shoqëria për të integruar mirëfilli edhe fëmijët me aftësi të kufizuara, jo duke i ndarë në shkolla speciale, por duke i inkuadruar në shkolla e mjedise të tjera, së bashku me fëmijët tjerë. Ishte kërkesë unanime që Kuvendi i Kosovës të merret me trajtimin e pozitës së këtyre fëmijëve . Në këtë frymë u propozua që të hartohet dhe të aprovohet një Ligj për të drejtat e fëmijëve me aftësi të kufizuara nga ana e Kuvendit të Kosovës.