Lajmet e fundit
Udhëheqja e Kuvendit pret katër ambasadorë të OSBE-së
, 01.06.2005
Një delegacion prej katër ambasadorësh të OSBE-së, në përbërje: Carlos Sanchez de Boado ( Spanjë), Brendan Morand( Irlandë), Maria Pia Kothbauer ( princeshë e Lihtenshtajnit), Mette Kongshem (Noprvegji), të shoqëruar nga shefi i OSBE- së në Kosovë, ambasadori Werner Wnendt, është pritur sot nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci dhe anëtarët e Kryesisë së Kuvendit.
Delegacioni i ambasadorëve të OSBE-së, i cili është në duke realizuar një turne nëpër vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor janë interesuar për zhvillimet në Kosovë, për funksionimin e jetës institucionale dhe demokratike në vend dhe për gjasat e krijimit të dialogut ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë dhe ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, në funksion të krijimit të stabilitetit gjithëpërfshirës.
130 mijë shtëpi të djegura, fondet bankare dhe pensionale të plaçkitura
Kryeparlamentari Daci ka mbajtur një fjalë përmbajtësore për pasojat e luftës ( për 130 mijë shtëpi të djegura e të shkatërruara nga forcat serbe, për fondet bankare dhe pensionale të plaçkitura, për ekonominë e shkatërruar etj) dhe për rindërtimin e sukseshëm të tri viteve pas luftës.
Për ngjalljen e ekonomisë
Ai ndërkaq është shprehur se mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë dhe institucionet e vendit, me kompetenca tepër të cunguara, nuk kanë arritur të realizojnë ringjalljen ekonomike të vendit. Për pasojë, ka theksuar Daci, rrezikohet stabiliteti politik i vendit dhe zhgënjimi i popullsisë, sidomos i të rinjve nga papërsektiva e jetës në Kosovë.
Të anëtarësohemi në mekanizmat ndërkombëtarë financiar
Kreu i legjislativit të vendit ka kërkuar që Kosovës t’i krijohen mundësi për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtarë financiar dhe që të krijohen lehtësi për investime kapitale në Kosovë.
Ndër pengesat kryesore të zhvillimit të Kosovës Daci ka theksuar vonimin e përcaktimit të statusit për vendin.
Vlerësohet qëndrimi i KS të OKB-së dhe i Grupit të Kontaktit
Ai ka vlerësuar qëndrimin e KS të OKB-së dhe të Grupit të Kontaktit për Kosovën, është shprehur optimist për përmbushjen e standardeve dhe ka kërkuar që OSBE dhe faktorët e tjerë ndërkombëtarë të bëjnë më shumë që njerëzve në Kosovë tu shtohet shpresa për zhvillim dhe jetë më të mirë.
Vlerësohen të arriturat e Kosovës
Ambasadorët e OSBE-së, kanë vlerësuar të arriturat e Kosovës në periudhën e pasluftës dhe janë zotuar për partneritet të plotë me institucionet e Kosovës. Ata janë shprehur se e kuptojnë vështirësitë e pajtimit, pas asaj që ka ndodhur në Kosovë në dhjetë vjetët e fundit (kanë përmendur edhe pasojat e konfliktit në Irlandën e Veriut), por kanë shtuar se duhet hapur dialogu për tejkalimin e armiqësive dhe se OSBE-në e kanë parë si një mekanizëm shumë të përshtatshëm për ta shtyrë dialogun në Kosovë dhe në rajon.
Për kthimin e të zhvendosurve dhe lirinë e lëvizjes
Kryeparlamentari Daci, por edhe anëtarët e tjerë të Kryesisë janë pajtuar për domosdoshmërinë e thellimit të vazhdueshëm të demokracisë dhe të lirisë së qytetarëve, sidomos sa i përket kthimit të të zhvendosurve dhe lirisë së lëvizjes së qytetarëve në çdo pjesë të Kosovës, sidomos të serbëve, por kanë theksuar edhe faktin që regjimi i Beogradit nuk i lejon serbët e Kosovës të inkuadrohen në institucionet e vendit dhe të punojnë me shqiptarët. Është përmendur edhe fakti që arsimtarët, mjekët serbë e të tjerë, marrin paga nga buxheti i Kosovës, por edhe nga Serbia, ndërkohë që nuk i njohin dhe i bojkotojnë institucionet e Kosovës.
Kosova shtet ligjor
Kuvendarët e Kosovës i kanë garantuar ambasadorët e OSBE-së se institucionet kosovare angazhohen për shtet ligjor dhe liri e të drejta të garantuara për të gjithë qytetarët, pavarësisht bindjeve politike dhe të përkatësisë etnike, por kanë bërë apel që të ndihmohet Kosova në këtë vit vendimtar për të ardhmen e vendit.