Lajmet e fundit
Prof. dr. Fatmir Sejdiu priti studentët e shkencave juridike të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë
, 02.06.2005
Çështjet e hartimit, procedimit dhe miratimit të ligjeve, struktura e Kuvendit, puna e komisioneve, bartja e kompetencave, realizimi i standardeve ishin tema bosht të takimit të anëtarit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, prof. dr. Fatmir Sejdiu me studentë të shkencave juridike të Universitetit të Evropës Juglindore në Tetovë. Si deputetët e përbërjes së kaluar , ashtu edhe ata të kësaj përbërjeje, theksoi Sejdiu, qëllim parësor kanë funksionin legjislativ të Kuvendit. Në përbërjen e kaluar u aprovuan rreth 100 ligje, megjithëse disa prej tyre ende nuk janë shpallur nga kryeadministratori, ndërsa me një angazhim të shtuar po punohet edhe për miratimin e ligjeve të reja nga deputetet e tashëm.
Në çështjet thelbësore të së ardhmes së Kosovës nuk ka dallime në mes deputetëve, pos kur është fjala për ata që vijnë nga komuniteti serb. Pra, në punët strategjike, që nënkupton edhe statusin final të Kosovës, që duhet të jetë në pajtimi me vullnetin politik të qytetarëve, bëjmë punë të përbashkët, tha Sejdiu.
Duke folur rreth çështjes së standardeve , prof. Dr. Fatmir Sejdiu theksoi se standardet i kemi kuptuar si proces për jetë më të mirë, duke filluar nga sundimi i ligjit, integrimi i minoriteteve e deri te zhvillimi më i hovshëm ekonomik i vendit. Në këtë frymë vijojnë angazhimet edhe për bartje sa më të shpejtë të kompetencave. Në një kohë sa më të afërt jemi në pritje të formimit të ministrisë së drejtësisë dhe asaj të sigurisë, theksoi ai. Studentët shtruan edhe shumë pyetje lidhur më çështjet e shtruara .