Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Nexhat Daci priti udhëheqjen e QEA “Gylistan”
, 03.06.2005
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, priti sot udhëheqjen e qendrës edukative – arsimore “Gylistan” që vepron në Prishtinë, të përbërë nga drejtori gjeneral Turdaj Shen, drejtori i shkollës internacionale Ertugrull Dashdemir dhe zëvendësdrejtorja e shkollës internacionale, Majlinda Hajrullahun. Me këtë rast udhëheqja e kësaj shkolle e njohu kryeparlamentarin me procesin e mësimdhënies në këtë shkollë, suksesin e nëxnësve të këtushëm në procesin arsimor, si dhe të arriturat e nxënësve në veprimtaritë tjera, siç janë trajnimet e ndryshme dhe pjesëmarrja në gara me karakter ndërkombëtar.
Qendra “Gylistan” jep kontribut të rëndësishëm edhe në trasimin e rrugëve për studime të të rinjve që kryejnë shkollimin në këtë qendër, duke i indihmuar ata edhe materialisht, varësisht nga suksesi që arrijnë në mësime. Nga kjo vatër arsimore bëhet financimi i maturantëve të këtushëm që vazhdojnë shkollimin në universitetet turke. Një ndihmë të çmuar kjo qendër jep edhe për shkollimin e fëmijëve të dëshmorëve, të cilët gëzojnë shkollim pa pagesë, si veprohet edhe për nxënës që kanë aftësi për mësime, por nuk kanë kushte materiale për vijimin e shkollimit .
Kryeparlamentari Daci përgëzoi udhëheqjen e kësaj shkolle për këto të arrtura impresive, sidomos për kriteret solide të vlerësimit të dijes së nxënësve. Kreu i legjislativit theksoi se shkollat e këtilla, që japin kontribut të shquar në shkollimin e të rinjve, gjithnjë do të kenë përkrahje.