Lajmet e fundit

Komisioni për bujqësi, pylltari, zhvillim rural, mjedis dhe planifikim hapësinor vizitoi fshatin Mamushë

, 02.06.2005




Komisioni për bujqësi, pylltari, zhvillim rural, mjedis dhe planifikim hapësinor i Kuvendit të Kosovës, i udhëhequr nga Rifat Krasniq, kryetar i Komisioni, vizitoi sot fshatin Mamushë, komuna e Prizrenit.

Në lokalet e bashkësisë lokale Komisioni u takua me udhëheqjen e kësaj bashkësie lokale me në krye kryetarin e saj Cavit Mazrek. Pos anëtarëve të kryesisë së bashkësisë lokale të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e shoqërive civile të kësaj bashkësie lokale dhe të komunës së Prizrenit, pastaj përfaqësuesit e KFOR-it Turk, të Ministrisë së Bujqësisë, të Drejtoratit të Bujqësisë të Komunës së Rahovecit, si dhe përfaqësuesi i Fakultetit të Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës.

Duke i informuar anëtarët e Komisionit në fjalë dhe mysafirët e tjerë për jetën dhe punën në fshatin Mamushë, kryetari i bashkësisë lokale, pos tjerash, theksoi se prej afër 5.000 banorëve sa ka përafërsisht fshati, 80% prej tyre merren ekskluzivisht me bujqësi, kurse pjesa tjetër kryesisht me tregti me pakicë dhe shumicë. Në vazhdim kryetari Mazrek tha se gjatë 2-3 viteve të fundit është përmirësuar dukshëm infrastruktura, kështu që krahas kanalizimit në fshat është instaluar edhe ujësjellësi dhe është asfaltuar në pjesën më të madhe rruga që e lidhë këtë fshat me Prizrenin. Duke folur për problemet me të cilat përballet fshati, Mazrek përmendi papunësinë e madhe sidomos të të rinjve, çështjen e sigurisë (ngase kohëve të fundit janë shënuar disa vjedhje të rënda) si dhe faktin se në 2-3 vitet e fundit nga moti i keq janë shkatërruar plotësisht të lashtat (këtë fshat e goditi një mot shumë i keq edhe javën e shkuar). Gjatë bisedës përfaqësuesit e shoqërive civile të këtij fshati kërkuan nga anëtarët e Komisionit dhe nga kompetentët e Ministrisë së Bujqësisë dhe të subjekteve të tjera që të krijohen parakushtet për subvencionimin e prodhimeve bujqësore, pastaj që të ulën taksat doganore për prodhimet bujqësore vendore, të ulën normat tatimore për bujqësi në mënyrë që të krijohen kushte më të volitshme dhe normale për veprimtarinë e bujqve me qëllim që ata të mbajnë veten dhe familjet me punën e tyre.

Në fund të vizitës në fshatin Mamushë anëtarët e Komisionit së bashku me mikpritësit vizituan disa ekonomi të suksesshme bujqësore dhe me atë rast, në disa prej parcelave, u bindën aty për aty për dëmet që i kishte shkaktuar javën e shkuar moti i keq.
Komisioni për bujqësi, pylltari, zhvillim rural, mjedis dhe planifikim hapësinor vizitoi fshatin Mamushë