Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci priti një delegacion të pensionistëve
, 13.06.2005
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot një delegacion të Lidhjes së Shoqatave Komunale të Pensionistëve, të kryesuar nga Iljaz Kurteshi, kryetar, dhe ka biseduar me të për statusin e parregulluar të pensionistit dhe pozitën tepër të rëndë të pensionistëve në Kosovë.
Pakënaqësitë të akumuluara të pensionistëve
Zotëri Kurteshi e ka njoftuar kryeparlamentarin Daci me problemet në LSHKP dhe me pakënaqësitë e akumuluara tek pensionistët e Kosovës për shkak të trajtimit joadekuat të punës së shkuar të tyre dhe për pasojë, të pozitës së tyre tepër të rëndë dhe krejtësisht jodinjitoze.
Kërkesa e pensionistëve do të shtrohet për shqyrtim
Kryeparlamentari Daci i ka njoftuar përfaqësuesit pensionistëve se kërkesa e tyre drejtuar Kuvendit të Kosovës do të shtrohet për shqyrtim në Kryesinë e Kuvendit dhe se ajo do të debatohet edhe në seancë plenare.
Pensioni - ndihmë sociale që nuk e siguron minimumin e jetesës
Ai është shprehur se e kupton pozitën e vështirë të pensionistëve; se duhet vlerësuar puna e tyre në të shkuarën dhe se pensioni të cilin e marrin është në të vërtetë ndihmë sociale që nuk e siguron minimumin e jetesës.
Kreu i legjislativit të vendit ka shprehur pakënaqësinë e tij për pafuqinë buxhetore të Kosovës për të shpërblyer pensionistët, por i ka garantuar ata se do të përdorë gjithë autoritetin për të ndihmuar zgjidhjen e problemit.