Lajmet e fundit

Seanca e ardhshme e Kuvendit më 23 qershor

, 14.06.2005




Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen në seancë plenare më 23 qershor, ka vendosur sot Kryesia e Kuvendit të Kosovës në mbledhjen e kryesuar nga Nexhat Daci, kryetar dhe ka përcaktuar rendin e ditës për këtë seancë.

Do të shqyrtohet përmbushja e standardeve

Është vendosur që si pikë të parë të rendit të ditës, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të LDK-së, të jetë përmbushja e standardeve. Në seancë do të ftohen të raportojnë Qeveria dhe segmente të tjera, përgjegjëse për përmbushjen e standardeve.

Miratohen tri ligje

Në po këtë seancë do të shqyrtohen për herë të dytë Projektligji për kërkesat teknike për produkte dhe vlerësim të konformitetit, ai për Tokat bujqësore dhe ai për Shërbimet e shoqërisë informatike.

Për herë të parë shqyrtohen shtatë projektligje 

Për herë të parë, ndërkaq, do të shqyrtohen: Projektligji për investimet e huaja, ai për Metrologjinë, ai për Mjekësinë ligjore, Projektligji për duhanin, ai për Përdorimin e gjuhëve ai për Inspektoratin Shëndetësor dhe ai për Grevat.

Shqyrtohen katër propozim-vendime të Qeverisë

Deputetët do të kenë rastin të shqyrtojnë katër propozim-vendime të Qeverisë: atë për emërimin e anëtarëve të Agjencisë për prokurim Publik, atë për emërimin e anëtarëve të Bordit për Rregullatorin e Energjisë, atë për emërimin e anëtarëve të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale dhe atë për emërimin e anëtarëve në Bordin e Pavarur për Ankesa.

Për gjendjen në ekonomi do të debatohet në fillim të korrikut

Kryesia ka vlerësuar se kërkesa e Grupit Parlamentar ORA për një seancë të jashtëzakonshme për të debatuar lidhur me gjendjen e ekonomisë së Kosovës ( i nënshkruar nga 41 deputetë të Kuvendit të Kosovës) i ka plotësuar kushtet parapara, por duke pasur parasysh se duhen përgatitje serioze për temën, ka vendosur që të debatohet në një seancë të ardhshme, e cila do të mbahet në fillim të muajit korrik.

Kryesia ka shqyrtuar edhe një varg kërkesash të komisioneve, të grupeve parlamentare dhe deputetëve të veçantë për çështje pune dhe realizimit të drejtave të tyre.

Seanca e ardhshme e Kuvendit më 23 qershor