Lajmet e fundit
Kai Aide takon edhe deputetët serbë të SLKM-së dhe ata të bashkësive të tjera
, 15.06.2005
Përfaqësuesi i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, ambasadori norvegjez, Kai Aide, ka pasur sot takime të veçanta edhe me deputetët serbë të SLKM-së dhe me deputetët e bashkësive të tjera ( joserbe dhe joshqiptare) dhe ka marrë opinionet e tyre për zhvillimet në Kosovë dhe për nivelin e përmbushjes së standardeve, me theks të veçantë lirinë e lëvizjes dhe realizimin e të drejtave.
Serbët të pakënaqur me standardet
Pas takimit, deputeti Rangjel Nojkiq, u ka deklaruar gazetarëve se deputetët e SLKM-së e kanë njoftuar zotëri Aiden me problemet e shumta të serbëve në Kosovë. Se ata kanë kërkuar nga përfaqësuesi i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, të jetë objektiv në raportin e tij për vlerësimin e standardeve dhe ta ketë parasysh edhe nevojën për kontrollin mbi institucionet e Kosovës.
Nojkiq ka thënë se në takim kanë prezantuar edhe fakte të shumta për shkeljen e dokumenteve të miratuara në vetë Kuvendin e Kosovës dhe për palirinë e lëvizjes së qytetarëve serbë në Kosovë.
Deputeti Oliver Ivanoviq, ndërkaq, ka deklaruar se përmbushja e njëmendtë e standardeve është kusht esencial për mbijetesën serbëve në Kosovë dhe ka shfaqur shpresën se raporti i diplomatit të OKB-së do të jetë objektiv.
Bashksit e tjera po integrohen
Deputetët e bashkësive të tjera ( joserbe dhe joshqiptare), në takim me z. Kai Aide kanë shprehur vullnetin e bashkësive që u takojnë për tu integruar në shoqërinë e Kosovës, por kanë theksuar edhe një varg problemesh me të cilat ballafaqohen, i ka deklaruar Zyrës për marrëdhënie me media anëtari i Kryesisë së Kuvendit , Xhezair Murat.
Në takim është theksuar fakti se gjithë vëmendja e faktorit ndërkombëtar është përqendruar tek serbët dhe sikur janë anashkaluar bashkësitë tjera ( joserbe dhe joshqiptare).
Përfaqësuesi i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, ambasadori norvegjez, Kai Aide, ka shprehur kënaqësi për vullnetin e këtyre bashkësive etnike të integrohen në shoqërinë e Kosovës, të marrin pjesë në institucione dhe të kooperojnë me popullsinë shumicë.
Ai gjithashtu ka premtuar se do të kujdeset që t’i vizitojë lokalitetet ku jetojnë minoritetet dhe të bindet për të arriturat e tyre.