Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti një delegacion të grave të shoqatës “Thirrjet e nënave”

, 27.02.2004




Një delegacion i shoqatës “Thirrja e Nënave”, i kryesuar nga zonja Ferdeze Efendia, në takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci edhe një herë ka ngritur çështjen e të pagjeturve dhe zbardhjen e fatit të të gjithë të rrymbyerve nga forcat serbe. Ato kanë kërkuar nga kryetari Daci ta shfrytëzojë autoritetin dhe këmbënguljen e tij për kthimin e kufomave të të zhdukurve dhe zbardhjen e fatit të të rrëmbyerve nga forcat serbe.
Kryeparlamentari Daci është pajtuar me familjaret e të rrëmbyerve se çështja e të zhdukurve nuk është çështje teknike e bisedimeve me Beogradin, por një çështje shumë e mprehtë humane, parasëgjithash. Ai është shprehur se bashkëndien tragjedinë familjare të tyre dhe se u qëndron premtimeve të dhëna që në takimin e parë, se do të insistojë në zbardhjen e pakushtëzuar të fatit të të rrëmbyerve nga forcat serbe. Daci u ka thënë nënave se pasi PSSP për Kosovën, z. Hollkeri e ka ngritur çështjen e të zhdukurve në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, duhet këmbëngulur që zbardhja e fatit të më të dashurve tuaj të fillojë të implementohet. Adresa se ku duhet kërkuar dihet: komandantët serbë që urdhëruan rrëmbimin e njerëzve edhe sot kanë pozita të rëndësishme në bashkësinë shtetërore Seri-Mali i Zi.