Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci priti myftiun Naim Tërnava
, 27.06.2005
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot kryetarin e Kryesisë së Bashkësisë Islame në Kosovë, myftiun Naim Tërnava dhe ka biseduar me të për zhvillimet në Kosovë, si dhe për bashkëpunimin ndërmjet Kuvendit të Kosovës me Bashkësisë Islame, në funksion të krijimit të kushteve për paqe të qëndrueshme dhe realizimit të statusit të Kosovës, konform vullnetit të popullit të saj.
Jo Ligjit për lirinë fetare
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka shprehur pakënaqësinë e Bashkësisë Islame të Kosovës për Ligjin për lirinë fetare dhe pozitën juridike të bashkësive fetare, i shqyrtuar kohë më parë në Kuvendin e Kosovës.
Teksti i projektligjit është ndryshuar pa u konsultuar Bashkësia Islame
Ai e ka njoftuar kreun e legjislativit të vendit se ekspertët e Bashkësisë Islame kanë marrë pjesë në komisionin e Qeverisë për hartimin e ligjit, porse Kuvendit të Kosovës i është dorëzuar version tjetër, i cili dallon thelbësisht nga ai i hartuar nga komisioni.
Ai, madje ka shtuar se nuk janë marrë fare parasysh vërejtjet e Bashkësisë Islame dhe ka theksuar se nëse vazhdojnë të mos përfillen ato, atëherë ligji është më mirë të mos miratohet fare sesa të kalojë si në shqyrtimin e parë.
Të financohen bashkësitë fetare
Zotëri Tërnava në takim me kryeparlamentarin Daci e ka shtruar edhe çështjen e financimit të bashkësive fetare në Kosovë. Ai ka theksuar faktin se në Buxhetin e Konsoliduar të Kosovës nuk janë paraparë zëra për bashkësitë fetare dhe ka kërkuar që buxheti i paraparë për këtë destinim të ndahet sipas numrit të anëtarëve të bashkësive fetare.
Daci vlerëson kontributin e Bashkësisë Islame
Profesor Daci e ka vlerësuar kontributin shumë të madh të Bashkësisë Islame në periudhën të luftës dhe atë paraluftës, por ka theksuar se së voni sikur ajo nuk është trajtuar mirë nga institucionet e vendit.
Kru i Kuvendit mbështet kërkesat e myftiut
Ai e ka mbështetur plotësisht nevojën e përfshirjes së bashkësive fetare në Buxhetin e Kosovës, kurse sa i përket Ligjit për lirinë fetare dhe pozitën juridike të bashkësive fetare, i ka propozuar myftiut Tërnava, që vërejtjet e Bashkësisë Islame të Kosovës, në formë amendamentesh, t’i dorëzohen Komisionit Parlamentar për Çështje Juridike, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese, në mënyrë që ligji të pasurohet para shqyrtimit të dytë dhe miratimit nga Kuvendi i Kosovës.