Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për çështje gjyqësore

, 27.06.2005




Komisioni parlamentar për çështje gjyqësore, legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese, i kryesuar nga Hydajet Hyseni, kryetar i komisionit, ka krijuar sot grupin për hartimin e Ligjit për hetimet parlamentare. Kjo nismë e kahershme e komisionit u realizua pas debatesh të shumta, të përçuara dhe të miratuara edhe nga Kryesia e Kuvendit dhe Zyra Ligjore e UNMIK-ut.
Madje, edhe sot, shumë nga anëtarët e komisionit hamendeshin nëse nisma kishte mbështetje ligjore dhe shprehnin dyshime për mundësitë e keqpërdorimit të një ligji, i cili nuk parasheh sanksione.

Është vendosur që grupi punues për hartimin e projektligjit të përbëhet nga tre anëtarë të Komisionit për çështje gjyqësore, legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese dhe nga shtatë ekspertë juridikë, disa prej të cilëve ka mbetur të emërohen më vonë.

Për shkak të ngarkesës tepër të madhe me punë të komisionit është vendosur që të krijohet Nënkomisioni për liritë dhe të drejtat e njeriut, për barazi gjinore dhe ankesa e peticione. Është kërkuar që grupet parlamentare t’i emërojnë anëtarët në këtë nënkomision, kurse është vendosur që Kryesisë së Kuvendit t’i kërkohet kompletimi i stafit profesional për këtë nënkomision dhe kompensimi material për punën e tij.

Nga mbledhja e Komisionit për çështje gjyqësore