Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës
, 28.06.2005
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e sotme të drejtuar nga Nexhat Daci, kryetar i Kuvendit, ka vendosur për rendin e ditës së tri seancave plenare që do të mbahen gjatë muajit korrik.
Deputetëve do tu drejtohet zonja Madeline Albrigh
Në seancën solemne të 5 korrikut, zonja Madeline Albright, ish- sekretare e Departamerntit Amerikan të Shtetit, me merita të veçanta për përfundimin e konflikteve në ish -Jugosllavi dhe ndërprerjen e gjenocidit në Kosovë, do t’ u drejtohet me një fjalë rasti deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Debatohet për gjendjen në ekonomi dhe pensionistët
Të nesërmen, më 6 korrik, do të debatohet për gjendjen ekonomike në Kosovë dhe për gjendjen e pensionistëve, kurse në seancën e 20 korrikut do të shqyrtohen një varg projektligjesh.
Më 20 korrik shqyrtoehn disa projektligje
Për herë të dytë do të shqyrtohen Projektligji për procedurën kontestimore dhe ai për Mbeturinat, e nëse arrijnë të kalojnë procedurat e komisioneve parlamentare mund të procedohen edhe katër projektligje të tjera. Për herë të parë, ndërkaq, do të shqyrtohen: Projektligji për provimin e jurisprudencës, ai për Mbrojtjen nga zjarri, Projektligji për arsimin dhe aftësimin profesional, ai për Akreditim dhe ai për Dizajnin industrial.
Kryesia njoftohet për planin e Qeverisë për reformimin pushtetit lokal
Kryesia është njoftuar sot edhe për plotësimet e planit të Qeverisë për reformimin pushtetit lokal, konform vërejtjeve dhe rekomandimeve të deputetëve në seancën parafundit plenare të Kuvendit të Kosovës, si dhe ka shqyrtuar një varg kërkesash të komisioneve dhe grupeve parlamentare e të institucioneve të tjera të vendit.
Më 5 shtator seancë kremtore për Nënën Tereze
Kryesia i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së shoqatës “Nëna Tereze” për një seancë kremtore më 5 shtator, kushtuar humanistes së madhe, Nënës Tereze.
Nuk ka ligj për festat
Ndërkaq, sa i përket kërkesës që kjo ditë të shpallet festë kombëtare e Kosovës, është thënë se mungon ligji për festat. I njëjti arsyetim është dhënë edhe për kërkesën e PDAK-së lidhur me festën kombëtare të komunitetit ashkalinj.