Lajmet e fundit

Daci priti ministrin e Malit të Zi, Gëzim Hajdinaga

, 29.06.2005




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot ministrin për Mbrojtjen e të Drejtave të Nacionaliteteve dhe Grupeve Etnike në Qeverinë e Malit të Zi, z. Gëzim Hajdinaga dhe ka biseduar me të për çështjen e arsimit të të rinjve dhe përgjithësisht për nivelin e realizimit të të drejtave individuale e kolektive të shqiptarëve në Mal të Zi.

Të sigurohet një kuotë studentësh shqiptarë nga Mali i Zi në Universitetin e Prishtinës

Ministri në Qeverinë e Malit të Zi, Gëzim Hajdinaga, duke e njoftuar profesor Dacin për nivelin e arsimit shqip në Mal të Zi, ka përmendur si fakt të rëndësishëm hapjen e Fakultetit të Mësuesisë në Podgoricë, në të cilin vitin e parë akademik po e përfundojnë 52 studentë. Ai, ndërkaq, ka thënë se ka nevoja të theksuara për profile të profesioneve nga më të ndryshme dhe për këtë ka kërkuar ndihmën për të siguruar një kuotë studentësh shqiptarë nga Mali i Zi në Universitetin e Prishtinës.

Shqiptarët e Malit të Zi mbështesin pavarësinë e vendit dhe atë të Kosovës

Hajdinaga është shprehur se shumica e shqiptarëve mbështesin pavarësinë e Malit të Zi (duke e vlerësuar si zgjidhje të mirë edhe për ta), siç e përkrahin edhe pavarësinë e Kosovës.

Daci ka premtuar mbështetjen për regjistrimin e të rinjve shqiptarë në shkollat e Kosovës

 Duke u pajtuar me nevojën e arsimit shqip të shqiptarëve në Mal të Zi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci ka thënë se ardhmëri të sigurt mund të ketë vetëm një popull i arsimuar. Në këtë vështrim ai ka premtuar mbështetjen për regjistrimin e të rinjve shqiptarë në shkollat e Kosovës.

Raporte tejet normale me Malin e Zi

Kreu i legjislativit të vendit, duke përvijuar interesin për bashkëpunim me të tjerët, ka theksuar se Kosova synon marrëdhënie të mira me të gjitha vendet e rajonit, kurse raportet me Malin e Zi i ka vlerësuar tejet normale.

 

Daci priti ministrin e Malit të Zi, Gëzim Hajdinaga