Lajmet e fundit

Nga mbledhja e Komisionit për shëndetësi

, 30.06.2005




Në mbledhjen e Komisionit parlamentar për shëndetësi, punë dhe mirëqenie sociale, të kryesuar nga deputetja Fatmire Mulhaxha – Kollçaku, e në të cilën mori pjesë edhe Ministri për Punë dhe Mirëqenie Sociale, Ibrahim Selmanaj është debatuar çështja e përshpejtimit të procedimit të Projektligjit për pjesëtarët e luftës së UÇK-së, familjeve të dëshmorëve dhe e viktimave të luftës, si dhe është shqyrtuar edhe pozita e pavolitshme materiale në shëndetësi.

Të përshpejtohet procedimi i Projektligjit për pjesëtarët e luftës së UÇK-së

Anëtarët e komisionit kanë kërkuar nga ministri i resorit që bashkë me shefat e grupeve parlamentare dhe grupin punues të Qeverisë për hartimin e projektligjit në fjalë të unifikohen qëndrimet lidhur me projektligjin, konform kërkesës së deputetëve nga seanca e muajit shkurt të këtij viti.

Ministri Selmanaj është zotuar se do të kujdeset që kjo çështje të rregullohet brenda javës dhe projektligji të kalojë për miratim në Kuvend.

Të shtohen pagat në sektorin e shëndetësisë

Duke pasur parasysh nivelin tejet të ulët të pagave të punonjësve në sektorin e shëndetësisë, krahasuar me vëllimin dhe intensitetin e punës, anëtarët e Komisionit kanë kërkuar nga Ministria për Ekonomi dhe Financa që urgjentisht të ndërmarrë masat e duhura për shtimin e pagave në sektorin e shëndetësisë.