Lajmet e fundit
Kuvendi i Kosovës organizoi një pritje për deputetët që miratuan Deklaratën Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës
, 02.07.2005
Në shenjë të 15-vjetorit të shpalljes së Deklaratës Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës, sot në Kuvendin e Kosovës u organizua një pritje për ish - deputetët e legjislaturës 1989/1992 të Kuvendit të Kosovës. Deputetët u pritën nga anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, prof. dr. Fatmir Sejdiu dhe sekretari i Kuvendit , Isuf Demaj. Pasi i përshëndeti ngrohtësisht deputetë në emër të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, Fatmir Sejdiu përkujtoi aprovimin e Deklaratës Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës , dokument ky me rëndësi historike, që u shoqërua edhe me akte të tjera të rëndësishme, që bashkë me sakrificat e pareshtura të popullit për jetë të lirë hapën proceset për mëvetësinë e Kosovës.
Ishit njerëz që me kohë hapët proceset e mëdha për Kosovën, procese këto të pashembullta në historinë e saj të re, ishit prijës të proceseve të mëdha, të cilat ndodhën në Evropën Juglindore , ndërsa kishin për qëllim shkatërrimin e kreaturave që shtypnin popujt, posaçërisht ata të vegjël. Gjithnjë jeni udhëhequr nga prirja për të instaluar demokracinë e mirëfilltë me vlera perëndimore , theksoi Fatmir Sejdiu. Në vijim Fatmir Sejdiu tha se tani jemi bashkë në Kosovën e lirë, me një ndërtim të fuqishëm demokratik, si dhe përkrahje të fortë ndërkombëtare . Ndërkaq, duke folur për strukturën dhe punën e deputetëve të legjislaturës së dytë të Kuvendit të Kosovës, ai tha se puna e deputetëve është përqendruar sidomos në lëmin e legjislacionit. Të gjitha këto angazhime përshkohen nga synimi i gjithmbarshëm për realizimin e pavarësisë së Kosovës.
Në emër të ish- deputetëve u falënderua Ilaz Ramajli, nënkryetar i atëhershëm i Kuvendit. Ai tha se edhe sot në Kuvendin e Kosovës ndodhin gjëra të rëndësishme. Ne, duke kryer detyrën tonë, kishim përkrahjen e popullit, të partive politike, të Akademisë së Shkencave, dhe në këtë frymë artikuluam vullnetin e popullit për mëvetësinë e Kosovës. Për deputetët, të cilët me këtë rast vizituan edhe ambientet e renovuara të Kuvendit, pastaj u shtrua edhe një koktej rasti.