Lajmet e fundit

Kai Eide takon Kryesinë e Kuvendit të Kosovës

, 06.07.2005




I deleguari posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për vlerësimin e standardeve, Kadi Eide, është takuar sot me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Nexhat Dacin dhe me Kryesinë e Kuvendit në përbërje të plotë (merrte pjesë edhe përfaqësuesi i LSKM-së, Oliver Ivanoviq), për të marrë informacion plotësues për mbarëvajtjen e punëve në legjislativin e vendit, në funksion të përmbushjes së standardeve për Kosovën.

Sukses në rritje i Kuvendit të Kosovës

 Kryeparlamentari Daci, ka vënën pah suksesin në rritje të Kuvendit të Kosovës gjatë legjislaturës së parë dhe të dytë, në planin e miratimit të ligjeve, por ka theksuar edhe vonesën e nënshkrimit të tyre nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë dhe vështirësitë e zbatimit të tyre. Daci ka pohuar, ndërkaq se, çështjet kanë marrë të mbarën me ardhjen e zotit Petersen.

Diskriminim pozitiv për pakicat 

Duke folur për pozitën e bashkësive etnike në Kosovë, sidomos asaj serbe, kreu i legjislativit të vendit ka përmendur diskriminimin pozitiv të tyre. Nga 20 vendete e rezervuara në Parlament për minoritetet, 10 u takojnë serbëve, ka thënë Daci, i cili ka shtuar se njërin nga dy komisionet kryesore parlamentare e udhëheqin serbët, kurse nga dhjetë komisionet e Kuvendit, në katër sish ata mbajnë postin e nënkryetarit.

Ai pastaj ka vënë në dukje se të gjithë deputetët flasin në gjuhën e tyre amtare, por ka theksuar edhe faktin që përkthimet jo çdo herë janë në nivelin e kënaqshëm.

Për përdorimin e barabartë të gjuhëve

Se lë për të dëshiruar përdorimi barabartë i gjuhëve në Kuvendin e Kosovës, Eide përmend si argument se edhe emri i tij ishte shkruar në një gjuhë (vetëm në shqip), kurse funksioni i ishte shkruar fare gabim.

Daci është përgjigjur se nuk është i kënaqur me cilësinë e punonjësve gjuhësor të Kuvendit, por ka shtuar se 90 për qind e stafit civil të Kuvendit të Kosovës ishin pranuar nga OSBE-ja dhe UNMIK-u, që para fillimit të funksionimit të Kuvendit.

Shumetniciteti dhe ekspertët

I deleguari posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për vlerësimin e standardeve, Kadi Eide, ka dashur të dijë më shumë për jetësimin e shumetnicitetit në institucione dhe punësimin e kuadrit të aftë profesional dhe jopolitik në Kuvendin e Kosovës. Ai madje ka shtuar se në këtë plan mund të ndihmojë më shumë bashkësia ndërkombëtare dhe ka nënvizuar se duhet pasur kujdes të punohet për të ngritur mbi themele të forta.

Të dëgjohen edhe zërat e tjerë

Aide ka theksuar se pjekuria politike e një vendi nuk matet vetëm me numërimin e votave, por mbi të gjitha me atë se sa dëgjohen dhe merret parasysh zërat e tjerë, qofshin ata edhe të pakicës.

Misioni i UNMIK-ut të përfundojë suksesshëm

Kryeparlamentari Daci ka konstatuar se vetëm misionet afatshkurta ndërkombëtare kanë gjasa për sukses dhe ka insistuar që misioni i bashkësisë ndërkombëtare të përfundojë suksesshëm në Kosovë.

Në takim kanë folur edhe anëtarët e Kryesisë Ivanoviq dhe Murati, duke vënë në spikamë kryesisht vështirësitë e komunitetit të cilët i përfaqësojnë, kurse anëtarët të tjerë, për shkak të kohës së shkurtër të takimit, nuk kanë arritur ta marrin fjalën.

Kai Eide takon Kryesinë e Kuvendit të Kosovës