Lajmet e fundit

Eide takon edhe Komisionin Parlamentar për të drejtat dhe interesat e komuniteteve

, 06.07.2005




Hallet e jetës , siguria , sfidat dhe përpjekjet për përmirësimin e pozitës së minoriteteve në institucione dhe përgjithësisht në shoqërinë kosovare, ishin tema thelbësore të takimit të Komisionit Parlamentar për të drejtat dhe interesat e komuniteteve dhe kthim, të kryesuar nga Rangjel Nojkiqi, kryetar i Kosmisionit, me të dërguarin special të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së për vlerësimin e standardeve , z. Kai Eide.

Arsimimi dhe punësimi brenga të posaçme

Brengë e posaçme, veçanërisht e përfaqësuesve të komuniteteve gorane, egjiptiane, rome dhe boshnjake ishin çështjet e pozitës së rëndë ekonomike të këtyre komuniteteve, si dhe vështirësitë me të cilat ballafaqohen në lëmin e arsimit, të punësimit etj. Shumë qytetarë goranë janë të shpërngulur dhe nuk tregojnë interesim për kthim, ndërsa edhe ata që jetojnë këtu, synojnë të shpërngulen nga mungesa e arsimimit në gjuhën e tyre dhe ngathtësia në kthimin e pronave të tyre. Përfaqësuesi i egjiptianeve shfaqi shqetësimin se duke qenë të detyruar të kthehen pjesëtarët e këtij komuniteti nga shtetet perëndimore, ekziston rreziku të formohen edhe kampe të tjera në Kosovë. Në Kosovë tashmë ekzistojnë kampe të romëve.

Ligjet nuk cenojnë të drejtat e minoriteteve

Të gjitha këto shtrojnë domosdoshmërinë për një angazhim më të madh të institucioneve kosovare , por edhe të atyre ndërkombëtare për tejkalimin e këtyre problemeve, në vazhdë të realizimit të standardeve. Ndërkaq, zhvillimi ekonomik dhe zgjidhja e statusit final të Kosovës do të kontribuonin shumë në këtë drejtim. Në takim u paraqitën të dhëna se nga 135 projektligje që janë shqyrtuar në këtë komision në legjislaturën e parë dhe të dytë, asnjë nuk prek interesat dhe të drejtat e minoriteteve, se në administratën qendrore të Kosovës 10, 2 për qind e punonjësve vijnë nga minoritarët, derisa në ato lokale 12, 45 për qind, në policinë kosovare punojnë mbi 700 policë serbë e janë arritur rezultate të rëndësishme edhe në hapjen e mediave në gjuhët e minoriteteve.

Shumica të prijë në identifikimin dhe tejkalimin e problemeve

Duke iu referuar diskutimeve që vinin nga radhët e shumicës parlamentare , Kai Eide theksoi se nuk është mirë të mohohen problemet, ose të iket nga përballimi me sfidat. Nuk duhet të fshiheni prapa institucioneve ndërkombëtare, kërkoni nga ato të angazhohen më shumë, tregohuni më zemërgjerë. Edhe në komunizëm , tha ai, ka pasur ligje të përkryera , por jeta nuk ishte e përkryer. Ju si shumicë duhet të prini në identifikimin dhe tejkalimin e këtyre problemeve, ju në gjithë këtë duhet të mbani barrën më të madhe, pikërisht nga fakti se çfarë integrime synoni

Eide takon edhe Komisionin Parlamentar për të drejtat dhe interesat e komuniteteve