Lajmet e fundit

Rezolutë në 10 Vjetorin e masakrës në Srebrenicë

, 07.07.2005




R E Z O L U T Ë

(Në 10 Vjetorin e masakrës në Srebrenicë)

• Të prirur nga parimet e drejtësisë, humanizmit dhe solidaritetit ndërkombëtar;

• Të motivuar nga synimi për vendosjen e një paqeje të drejtë e të qëndrueshme në fqinjësi dhe parandalimin e konflikteve dhe akteve të dhunës, terrorit e gjenocidit;

• Duke marrë për bazë Konventën për parandalimin dhe ndëshkimin e krimit të gjenocidit dhe aktet tjera universale për të drejtat e njeriut;

• Duke u mbështetur në Rezolutat e Këshillit të Sigurimit dhe të parlamenteve të vendeve të ndryshme lidhur me gjenocidin në Srebrenicë;

• Nisur nga fakti se edhe populli i Kosovës ishte objekt i së njëjtës ideologji gjenocidale, si pasojë e së cilës u suspendua rendi ligjor në Kosovë, u instalua regjimi i apartheidit, terrorit dhe gjenocidit që rezultoi me dëbimin e një populli të tëre dhe me dhjetëra mija qytetarë të pafajshëm të vrarë, të masakruan dhe të zhdukur pa gjurmë;

• Duke shprehur ndjenjat e solidarësisë se natyrshme të qytetarëve të Kosovës me të gjitha viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe familjet e tyre, si dhe shqetësimin e tyre të ligjshëm nga tendenca e vazhdueshme e qarqeve të caktuara në udhëheqjen e Serbisë për justifikimin e politikës së gjenocidit dhe paraljmërimin e vazhdimësisë dhe rikuperimit të politikës së dominimit, urrejtjes dhe shfarosjes së popujve tjerë;

Deputetët e Kuvendit të Kosovës , Miratojnë këtë:

R E Z O L U T Ë

 1. Kuvendi i Kosovës i bashkangjitet dënimit të gjerë ndërkombëtar të politikës së dhunës gjenocidale, të ushtruar 10 vjet më parë, në Srebrenicë dhe gjithandej në Bosnje e Hercegovinë si dhe në vendet përreth;

2. Deputetët e Kuvendit të Kosovës, ashtu si edhe të gjithë qytetarët e Kosovës, bashkëndjejnë dhembjen e qytetarëve të mbetur të Srebrenicës dhe gjithë Bosnjës e Hercegovinës, dhe shprehin pietetin për viktimat, siç ndjejnë edhe qytetarët e atjeshëm dhembjen për fatin dhjetëra mija të vrarëve e të masakruarëve në Kosovë dhe mija të tjerëve, të rrëmbyer e të zhdukur pa gjurmë;

3. Kuvendi i Kosovës angazhohet për trajtim adekuat të viktimave të gjenocidit , nderimin dhe përjetësimin e kujtimit për ta dhe kompensimin meritor të familjeve të dëmtuara në masakrën e Srebrenicës dhe në të gjitha masakrat tjera;

 4. Kuvendi i Kosovës angazhohet për funksionim energjik e efikas të drejtësisë ndërkombëtare dhe dënime meritore kundër autorëve dhe urdhërdhënësve të krimeve të gjenocidit dhe para së gjithash kundër shtetit serb dhe kreatorëve të politikës sistematike dhe të institucionalizuar të sundimit të popujve tjerë dhe shfarosjes së tyre etnike;

5. Kuvendi i Kosovës kërkon nga parlamentarët dhe nga të gjitha forcat demokratike e paqedashëse në Serbi distancim të qartë e pa ekuivoke nga politika vetëvrasëse e gjenocidit dhe bashkangjitje të vendosur e konstruktive përpjekjeve të përbashkëta për zgjidhje të drejtë, të qëndrueshme e demokratike të çështjeve të pazgjidhura, eliminimin e shkaqeve të konfliktit, pamundësimin e politikave që prodhojnë tragjedi si masakra e Srebrenicës dhe krijimin e perspektivës se paqes, stabilitetit, progresit, bashkëpunimit e fqinjësisë mirë për të gjithë popujt e regjionit.

Prishtinë, 6 Korrik 2005