Lajmet e fundit
Kongresdisti Engell flet para deputetëve të Kuvendit të Kosovës
, 07.07.2005
Pasi që kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci e ka quajtur mik të madh të Kosovës dhe njeri me vizion të gjerë demokratik, me merita të veçanta për ndërprerjen e gjenocidit dhe të spastrimit etnik të shqiptarëve nga Kosova, kurse deputetët janë ngritur në këmbë dhe me brohoritje e duartrokitje e kanë nderuar kongresistin Eliot Engell, miku i dëshmuar nga Amerika e ka marrë fjalën dhe para deputetëve ka thënë ndër të tjera:
Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur
Ky është një parlament i një kombi të lirë dhe të pavarur, dhe sikur që keni ardhur deri këtu ju them me bindje dhe siguri të plotë se Kosova do të jetë e lirë dhe e pavarur, kurse unë do të vij dhe do të festoj me ju lindjen e një kombi të lirë, është shprehur Eliot Engel, i cili kashtuar se historia do të flasë për këta patriotë që drejtojnë Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës dhe se fëmijët e gjeneratave të shumta do të lexojnë nëpër libra për emrin e Kosumit, Rugovës, Dacit etj., që do të llogariten si themeltarë të shtetit të Kosovës.
Pas pavarësisë ju pret punë e madhe
Engell ka thënë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës se para gjashtë vjetësh në Kosovë ka parë zhgënjim, vdekje, dhe njerëz që kërkonin ndihmë për jetë, kurse tash ai sheh shpresën, jetën, ardhmërinë dhe faktin se njerëzit shkojnë drejt së ardhmes, të vetëdijshëm se pas pavarësisë i pret punë e madhe.
Luftë për demokraci dhe të drejta të minoriteteve
Populli i Kosovës që iu është nënshtruar tiranisë dhe shtypjes e din se çka do të thotë të jesh i shtypur, prandaj është duke luftuar për demokraci, që të garantojë edhe të drejtat e minoriteteve, ka theksuar Engell.
Fëmijët tuaj kanë ardhmëri të shëndoshë
Kam ardhur t'ju drejtohem juve me shpresën se fëmijët e këtij vendi të shkëlqyeshëm, pavarësisht cilit komb, apo kombësi i përkasin, të kenë ardhmërinë e shëndoshë dhe të gëzojnë lirinë dhe pavarësinë. Them kështu pasi e vetmja gjë që funksionon është pavarësia, ka spikatur Engell.
Rrota e historisë nuk kthehet prapa
Ai pastaj ka thënë prerë se lidhjet e qeverisjes së Beogradit mbi Kosovën nuk duhet as të mendohen. Beogradi të mos pretendojë për një gjë të tillë, sepse rrota e historisë nuk duhet kthyer prapa.
Asgjë tjetër përveç pavarësisë
Ka të atillë, tha ai, që mendojnë se Kosova duhet të mbetet përgjithmonë protektorat. Unë u them atyre se Kosova mund të kërkojë kredi vetëm si e pavarur dhe si e tillë ajo mund të përfitojë, dhe se asgjë tjetër nuk funksionon përveç pavarësisë së Kosovës, ka thënë ndër të tjera kongresisti Eliot Engell para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.