Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti presidentin kroat Mesiq

, 07.07.2005




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot presidentin e Kroacisë, Stipe Mesiq dhe ka biseduar me te për zhvillimet në Kosovë dhe rajon, si dhe për bashkëpunimin gjithëpërfshirës ndërmjet të dy vendeve.

Për bashkëpunim në të gjitha fushat

Jemi të interesuar për bashkëpunim në të gjitha fushat, përfshirë atë ekonomike, politike e kulturore, është shprehur Daci dhe ka shtuar se në planin e bashkëpunimit ndërmjet dy parlamenteve ka ngecje, krahasuar me rajonin.

Për linja rrugore nga Lindja e Afërme

Kreu legjislativit të vendit ka shprehur idenë e lidhjes rrugore nga Lindja e Afërme, nëpër Maqedoni, Mal të Zi, Bosnje e Hercegovinë dhe Kroaci, duke theksuar se këto linja janë më të sigurta dhe më të natyrshme.

Pakica kroate është e integruar në shoqërinë e Kosovës

Presidenti kroat, Stipe Mesiq është angazhuar për lidhje më të forta bashkëpunimi ndërmjet të dy vendeve, duke pasur parasysh numrin e madh të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Kroaci. Duke folur ndërkaq për pakicën kroate në Kosovë (e përqendruar kryesisht në Letnicë dhe Janjevë), Mesiq ka deklaruar se pakica kroate është e integruar në shoqërinë e Kosovës dhe e ndanë fatin me popullsinë shumicë të saj.

Koha e fundit të zgjidhet statusi

Lidhur me statusin e Kosovës, Mesiq ka thënë se është koha e fundit që ai të zgjidhet.

Në interesimin e mysafirit, ndërkaq, për modalitetet e zgjidhjes së problemit, profesor Daci është përgjigjur se Kosova është storie e suksesshme e Evropës dhe e Amerikës dhe se statusi duhet të zgjidhet sipas vullnetit të popullit të Kosovës.

Për statusin e Kosovës nuk do të bisedojmë me askënd

Për statusin e Kosovës nuk do të bisedojmë me askënd, kurse me Serbinë hiç e hiç, është përgjigjur i prerë Daci.

Sikur kreu serb të vinte në Prishtinë dhe para përmendores së Skënderbeut ta proklamote pavarësinë e Kosovës, askush nga shqiptarët nuk do të dilte ta merrte atë, është shprehur figurativisht Daci, sepse shqiptarët e dinë se Serbia nuk ka mandat për fatin e Kosovës, ka thënë kreu i Kuvendit.

Duke u përshëndetur me dëshirën për takime të tjera, Daci i ka thënë mysafirit nga Kroacia se shpreson shumë që herën tjetër të fluturojë drejtpërdrejtë në aeroportin e Prishtinës dhe jo nëpërmjet Beogradit, si kësaj radhe.

Kryeparlamentari Daci priti presidentin kroat Mesiq