Lajmet e fundit
Konferencë shtypi e sekretarit të Kuvendit për Qendrën në Gërmi
, 08.07.2005
Duke pasur parasysh se kohëve të fundit ka pasur interesime të shumta të gazetarëve lidhur me Qendrën Administrative- Protokollare të Kuvendit të Kosovës, që ka filluar të ndërtohet në Gërmi, sekretari i Kuvendit të Kosovës, Isuf Demaj, ka mbajtur sot një konferencë shtypi, në të cilën dhe i ka njoftuar gazetarët për ecurinë e realizimit të këtij projekti.
Është ndjekur procedurë erregullt ligjore
Demaj ka vënë në pah se që nga vendimi për ndërtimin e kësaj Qendre, që është marrë më 24.3.2003, e deri më sot është ndjekur procedura e paraparë ligjore për ndërtimin e objekteve të tilla, si kushtet urbanistike, kërkimi dhe marrja e lejes, tenderimi, caktimi i lokacionit, dhënia e pëlqimit ekologjik, etj, kurse shumica mjeteve të parapara për ngritjen e saj janë miratuar nga Qeveria e Kosovës, këtu e dy vjet më parë.
Objekt në funksion të institucioneve të Kosovës
Ai pastaj ka shtuar se Qendra do të jetë në funksion jo vetëm të Kuvendit, por edhe të institucioneve të tjera të Kosovës.
Pyetjet e gazetarëve kryesisht janë fokusuar në ndryshimin e lokacionit të ndërtimit dhe dëmet që mund të shkaktojnë ndërtimet e këtilla në parkun e Gërmisë.
Kuvendi ka respektuar planin urbanistik
Sekretari i Kuvendit, Demaj, është përgjigjur se lokacioni, ku ka qenë më parë objekti i Kuvendit (i dëmtuar nga lufta në Kosovë), ka qenë shumë më i përshtatshëm dhe me kushte më të mira ndërtimi, porse Kuvendi i Kosovës ka respektuar planin urbanistik dhe sugjerimet e ekspertëve të Komunës së Prishtinës.
Projekti parasheh gjelbërim shtesë
Sa i përket gjelbërimit të Gërmisë, Demaj është përgjigjur se zona e ndërtimit nuk ka pasur shumë drunj, e objekti është projektuar i tillë që i përshtatet ambientit dhe se projekti parasheh gjelbërim shtesë rreth e çark godinës së Qendrës Administrative –Protokollare të Kuvendit të Kosovës.