Lajmet e fundit
Komisioni Parlamentar për komunitete takohet me ministrin Lutfi Haziri
, 11.07.2005
Procesi i decentralizimit dhe çështja e kthimit të të zhvendosurve ishin tema qendrore të takimit të sotëm të Komisionit për të drejtat dhe interesat e komuniteteve dhe kthim të Kuvendit të Kosovës , i kryesuar nga Rangjel Nojkiqi, kryetar i Komisionit, me ministrin e Pushtetit Lokal, z. Lutfi Haziri. Duke paraqitur një raport lidhur me ecuritë e deritashme të procesit te decentralizimit, Lutfi Haziri theksoi se procesi i reformimit lokal është duke u zhvilluar në dy rrugë paralele, në njërën anë punohet në krijimin e infrastrukturës ligjore dhe përgatitjet teknike për funksionalizimin tij, ndërsa pjesa tjetër ka të bëjë me testimin e vendbanimeve të caktuara që kanë specifika të ndryshme, që përfshihen në procesin e pilot - projekteve . Procesi i decentralizimit nuk do të krijojë komuna etnike, ai nuk do të bëjë prishjen e kufijve të komunave ekzistuese. Procesi i decentralizimit paraqitet si një e drejtë e njëjtë kundruall të gjitha minoriteteve.
Në vijim ministri Haziri foli edhe për përpjekjet që po bëhen për kthimin e të zhvendosurve në Kosovë. Angazhimin për kthim nuk e karakterizojnë vetëm vizitat e të zhvendosurve në Mal të Zi dhe në Maqedoni. Në vazhdë të këtij aksioni të gjerë humanitar janë edhe arritja e marrëveshjeve përkatëse për realizimin konkret të procesit të kthimit. Aktualisht janë në plan të realizohen 20 projekte për kthim, ndërsa në bashkëpunim edhe me institucionet ndërkombëtare në Kosovë është arritur që të eliminohet problemi financiar në këtë proces, i cili deri tash është paraqitur si pengesë mjaft e madhe.