Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës
, 13.07.2005
Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në mbledhjen e drejtuar nga Nexhat Daci, kryetar, ka vendosur që në seancën e 20 korrikut, sipas kërkesës së Grupit Parlamentar të AAK-së dhe të atij të LDK-së, të debatohet për çështjen e personave të pagjetur, si dhe për çështjen e sigurisë në vend (sipas kërkesës së grupit parlamentar të LDK-së).
Kryesia ka sugjeruar që Komisioni Parlamentar për Çështje Juridike, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese ta përgatisë një material bazë për personat e pagjetur.
Të raportojnë Vitrup dhe Ahmeti
Sa i përket çështjes së sigurisë, Kryesia ka vendosur të kërkojë nga PSSP-ja që të autorizojë komisionerin e policisë, Kai Vitrup, a ndonjë përgjegjës tjetër për çështje të sigurisë, që të raportojë para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Është thënë gjithashtu se para të njëjtit organ do të duhej të raportonte edhe shefi i SHPK-së, Sheremet Ahmeti.
Do shqyrtohen edhe 13 projektligje
Në vazhdim të seancës, më 21 korrik, do të shqyrtohen për herë të dytë pesë projektligje, kurse për herë të parë edhe tetë projektligje të tjera.
Xhezair Murat dhe Sadik Idriz kanë përfaqësuar institucionet e Kosovës në manifestimin përkujtimor në Srebrenicë
Anëtari i Kryesisë, Xhezair Murat, ka raportuar për pjesëmarrjen e tij dhe të ministrit të Shëndetësisë, Sadik Idriz, në komemoracionin në dhjetëvjetorin e masakrës në Srebrenicë dhe për ngushëllimet e përcjella në emër të institucioneve të Kosovës. Kryesia e Kuvendit i ka dhënë gjithë mbështetjen aktivitetit të zotit Xhezair Murat në këtë aktivitet përkujtimor dhe e ka vlerësuar shumë të rëndësishëm aprovimin e Rezolutës së Kuvendit të Kosovës, e cila i bashkëngjitet reagimit të opinionit demokratik ndërkombëtar që e dënon masakrën ndaj qytetarëve të pafajshëm në Srebrenicë.
Për regjistrimin e popullsisë
Po sot, Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka shqyrtuar kërkesën e kryetares së Komisionit Qendror të Regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe të banesave për vënie në rend dite të miratimit të datës dhe të buxhetit të Regjistrimit të Popullsisë. Kryesia ka vlerësuar se për këtë çështje do të jetë në kontakt të përhershëm me Zyrën e UNMIK-ut dhe me Qeverinë e Kosovës dhe nëse harmonizohen qëndrimet, ta miratojë kërkesën. Është thënë, ndërkaq, se duhet bërë përpjekje serioze që regjistrimi i popullsisë, i ekonomive familjare dhe i banesave të kryhet gjatë vitit të ardhshëm.