Lajmet e fundit
Takim i Komisionit Parlamentar për gatishmëri dhe emergjencë me stafin e Brigadës së Mbrojtjes Civile të TMK-së
, 14.07.2005
Komisioni për gatishmëri dhe emergjencë i Kuvendit të Kosovës, i kryesuar nga Naim Maloku, kryetar i Komisionit, pati sot një takim me stafin e Brigadës së Mbrojtjes Civile të TMK-së, të përbërë nga komandanti i brigadës kolonel Xhevahir Geci dhe shefi i shtabit kolonel Skënder Hoxha. Naim Maloku dhe anëtarët e komisionit me këtë rast theksuan se me vëmendje ndjekin zhvillimit e këtij institucioni të rëndësishëm të mbrojtjes civile të qytetarëve, të vetëdijshëm edhe për vështirësitë materiale me të cilat ballafaqohen në kryerjen e funksionit të tyre.
Duke folur për zhvillimet aktuale dhe strukturën e këtij segmenti të rëndësishëm , Skënder Hoxha përvijoi disa nga punët më prioritare që bëhen në këtë brigadë. Në fillim, theksoi ai, kemi bërë vlerësimin global nga vijnë rreziqet, siç janë faktorët e reliefit, ata gjeologjikë, metereologjik, epidemiologjik, minat etj. Synim parësor yni është ofrimi i shërbimeve emergjente në rast të fatkeqësive elementare, në mënyrë profesionale në tërë territorin e Kosovës, ofrimi i asistencës humanitare, i ndihmës mjekësore dhe me ushqime. Dy kompani të kësaj brigade janë gjithnjë në gatishmëri për intervenime urgjente në mbrojte të popullsisë. Ndërkaq, angazhim i përditshëm i ekipeve të specializuara të kësaj brigade , është deminimi i fushave të minuara në Kosovë.
Nga të dhënat ë e paraqitura vërehej se kjo brigade po arrin rezultate të pamohueshme, por ato do të ishin edhe më të mëdha sikur në këto aktivitete të nduarnduarta të mos paraqitej si pengesë ana materiale. Shih për këtë, Komisioni u angazhua që në të ardhmen të bëhen përpjekje shumë më të mëdha, që mbi bazën e projekteve të kësaj brigade, të sigurohen më shumë mjete nga donacione të ndryshme, të cilat do të reflektohen në një zhvillim normal të mbarë veprimtarisë , posaçërisht në furnizimin e pjesëtarëve të kësaj brigade me pajisje të reja.