Lajmet e fundit

Dëgjim publik lidhur me Projektligjin për IGJK

, 18.07.2005




Instituti Gjyqësor i Kosovës është krijuar para një viti, por ende nuk është miratuar rregullativa për funksionimin e tij, është thënë në dëgjimin publik lidhur me Projektligjin për Themelimin e Institutit Gjyqësor të Kosovës, organizuar nga Komisioni Parlamentar për Çështje Gjyqësore, Legjislacion, Kornizë Kushtetuese.

Kompetencat e reja në lëmin e gjyqësisë imponojnë ndryshime në tekstin e projektligjit 

Në këtë dëgjim publik, i cili drejtohej nga deputeti Hydajet Hyseni, kryetar i komisionit, përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare, që në forma të ndryshme kanë marrë pjesë në përpilimin e këtij projektligji, si Zyra Ligjore e kryeministrit, ajo e UNMIK-ut, Departamenti i Drejtësisë, OSBE-ja USAID-i, Gjykata Supreme e Kosovës, etj., tani bazuar në kompetencat e reja në lëmin e gjyqësisë që do ti ketë Kosova ( Ministria e Drejtësisë), secili nga këndvështrimi i vet propozonte ndryshime ( shpeshherë kundërthënëse me njeri-tjetrin). Të gjithë ndërkaq janë pajtuar se projektligji është i nevojshëm dhe se duhet të miratohet sa më parë (orientimisht në muajin shtator të këtij viti).

Për aftësimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve

Instituti Gjyqësor i Kosovës do të luaj rol të rëndësishëm për avancimin e mendimit juridik dhe për aftësimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve të Kosovës, është thënë në këtë dëgjim publik, por është tërhequr vërejtja që të kihet kujdes e të mos ndeshen kompetencat e këtij instituti me Këshillin Gjyqësor Prokurorial të Kosovës dhe me Ministrin e Drejtësisë.

Të ketë pajtueshmëri ndrërmjet ligjeve nga lëmi i gjyqësisë

Është thënë gjithashtu se duhet pasur kujdes për pajtueshmëri të plotë të këtij projektligji me Projektligjin për Gjykatat e Kosovës (që është duke u përgatitur) dhe me ligjet e tjera nga lëmi i gjyqësisë.

Vërejtjet do të inkorporohen si amendamente

Anëtarët e komisionit janë zotuar se do të shqyrtojnë propozimet e bëra, një numër i mirë e të cilave, në formë amendamentesh, do të nxirren para deputetëve në shqyrtimin e dytë të projektligjit.

Dëgjim publik lidhur me Projektligjin për IGJK