Lajmet e fundit

Komisioni Legjislativ takon përgjegjësit e gjyqësisë

, 19.07.2005




Komisioni Parlamentar për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese, i drejtuar nga Hydajet Hyseni, kryetari komisionit, ka ftuar sot në një takim pune përfaqësues vendor dhe ndërkombëtarë, përgjegjës dhe të interesuar për mbarëvajtjen e gjyqësisë në Kosovë dhe ka dëgjuar pikëpamjet e tyre për gjendjen në fushën e gjyqësisë dhe për procesin e ligjvënies në vend.

Për problemetikën aktuale në lëmin e gjyqësisë

Pjesëmarrësit në takim: Nick Booth, zëvendësudhëheqës i shtyllës së I-rë të UNMIK-ut, Herri Mmekgauen, udhëheqës i OSBE-së, Rxhep Haxhimusa, kryetar i Gjykatës Suprem të Kosovës, Borg Olivier ,udhëheqës i Zyrës Ligjore të UNMIK-ut, Thomas Monaghan, nga Departamenti i Drejtësisë, Daniel Deja, nga USAID-i dhe Kujtim Kërveshi, përfaqësues i Qeverisë, kanë raportuar, sipas këndvështrimit të tyre dhe të kompetencave të institucioneve që përfaqësojnë, për problemetikën aktuale në lëmin e gjyqësisë dhe për rrugëzgjidhjen e probleme.

Për procesin e transferimit të kompetencave në fushën e gjyqësisë

Më pastaj në takim është debatuar për procesin e transferimit të kompetencave në fushën e gjyqësisë, për rolin e Kuvendit në këtë proces dhe nevojën e ngutshme për përgatitjen e legjislacionit për procesin e transferimit të kompetencave në lëmin e gjyqësisë.

Mbështetje për krijimin dhe funksionalizimin e Ministrisë së Drejtësisë

Anëtarët e Komisioni Parlamentar për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese kanë kërkuar nga të ftuarit mbështetje për procesin e transferimit të kompetencave në lëmin e gjyqësisë, sidomos për krijimin dhe funksionalizimin e Ministrisë së Drejtësisë, si dhe për krijimin e parakushteve për raport adekuat ndërmjet legjislativit dhe të ekzekutivit të vendit.