Lajmet e fundit
Deklarata e Kuvendit për personat e pagjetur
, 22.07.2005
Kuvendi i Kosovës,
bazuar në Deklaratën e Kombeve të Bashkuara mbi të zhdukurit, Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 47/133, Konventat e Gjenevës të vitit 1949 si dhe aktet tjera universale për të drejtat e njeriut;
duke e riafirmuar Rezolutën e Kuvendit të Kosovës të datës 10 Prill 2003,
duke rishprehur shqetësimin për fatin ende të pazbardhur te mijëra qytetarëve të Kosovës, të rrëmbyer gjatë luftës nga formacionet e armatosura shtetërore dhe paramilitare të Serbisë,
duke bashkëndjerë dhembjen dhe vuajtjet e familjeve të pengjeve, të të rrëmbyerve dhe të të pagjeturve pa dallim;
të ballafaquar me prirjen e autoriteteve të Beogradit për abuzim dhe licitim politik me çështjen e trupave të gjetur të qytetarëve të Kosovës nëpër varrezat e shumta në Serbi;
duke pasur parasysh pasojat serioze që rrjedhin nga zvarritja dhe kthimi i parcializuar i tyre;
të motivuar nga synimi për normalizimin e gjendjes në Kosovë dhe për ndërtimin e një shoqërie të lire, demokratike, tolerante e pluraliste;
K u v e n d i i K o s o v ë s
miraton këtë
D E K L A R A T Ë
1. Kuvendi i Kosovës e konsideron çështjen e pazgjidhur të pengjeve të luftës, të të rrëmbyerve, dhe të të pagjeturve si çështje tejet të rëndësishme humanitare, juridike e politike;
2. Kuvendi i Kosovës kërkon nga të gjithë faktorët relevantë që të ushtrojnë gjithë ndikimin e tyre për zbardhjen e pashtyeshme të fatit të të gjithë pengjeve, të të rrëmbyerve dhe të të pagjeturve dhe kthimin e shpejtë dhe të pakushtëzuar të tyre ose të trupave të tyre të identifikuar ose të paidentifikuar;
3. Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria dhe institucionet tjera të Kosovës që të ngrenë në nivelin më të lartë politik e institucional angazhimin për zbardhjen e çështjes së pengjeve, të të rrëmbyerve dhe të të pagjeturve dhe përkujdesjen ligjore e institucionale për familjet e tyre dhe lidhur me këtë të informohet rregullisht Kuvendi;
4. Kuvendi i Kosovës kërkon nga PSSP, Këshilli i Sigurimit i OKB–së, shtetet e Grupit të Kontaktit, qendrat tjera ndërkombëtare të vendosjes dhe nga qeveritë tjera, që të kërkojnë nga Serbia kthimin e pakusht të pengjeve të luftës, të të rrëmbyerve dhe të të pagjeturve;
5. Kuvendi i Kosovës kërkon nga organet e drejtësisë ndërkombëtare që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të vënë para drejtësisë shtetin e Serbisë dhe përgjegjësit e tij, si faktorin kryesor përgjegjës për gjenocidin në Kosovë dhe në fqinjësi;
6. Kuvendi i Kosovës fton forcat demokratike, humaniste e paqedashëse në Serbi që të vazhdojnë të kontribuojnë në zbardhjen dhe zgjidhjen e fatit të pengjeve, të të rrëmbyerve dhe të të pagjeturve, si akt i vullnetit të mirë dhe parakusht për dialog konstruktiv, midis Prishtinës dhe Beogradit;
Prishtinë, 21 korrik 2005
Nexhat Daci
Kryetari i Kuvendit të Kosovës