Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti gjeneralin Giuseppe Valotto

, 22.07.2005




Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, kishte sot një takim njohës me pasardhësin e COMKFOR-it, gjeneralin Giuseppe Valotto, i cili ishte i shoqëruar nga COMKFOR-i aktual, Yves de Kermabon, në prag të ndërrimit të komandës së KFOR-it, që do të bëhet në shtator të këtij viti.

Kryeparlamentari Daci duke përshëndetur gjeneralin Valotto shprehu kënaqësinë me punën dhe angazhimet e KFOR-it në Kosovë, si dhe me bashkëpunimin e tij me institucionet e Kosovës, i cili do të thellohet gjithnjë. Kosova tani gjendet në kulmin e të gjitha proceseve që ka zhvilluar gjatë gjashtë vjetëve të fundit. Ajo thellësisht është e përcaktuar për paqe në rajon. Ndërkaq, deklaratat serbe se do të kthehet sërish ushtria serbe në Kosovë nuk i kontribuojnë proceseve në Kosovë, qëllimi i tyre është destabilizimi i gjendjes në Kosovë. Këto qëllime janë qëllimkëqija, aq më parë kur bëhen përpjekje që në këtë aspekt të implikojnë edhe KFOR-in, i cili është institucioni më i respektuar nga institucionet dhe qytetarët e Kosovës.

Duke u pajtuar me këto vlerësime, gjenerali Valotto theksoi se gjendja në Kosovë është shumë e mirë. Ndërsa, lidhur me zërat për kthim të ushtrisë serbe, ai tha se nuk do të ketë më asnjëherë kthim të armatës serbe në Kosovë. Raporti i KFOR-it me qytetarët e Kosovës, angazhimi i tij për mbrojtjen e rendit dhe të lirisë është mesazhi më i mirë për mbarë botën, se si një ushtri ndërkombëtare vihet në mbrojtje të popullit dhe lufton kriminalitetin.

Kryeparlamentari Daci priti gjeneralin Giuseppe Valotto