Lajmet e fundit
Komisioni Legjislativ takon udhëheqësin e Shtyllës së I-rë të UNMIK-ut
, 26.07.2005
Komisioni Parlamentar për Çështje Gjyqësore, Legjislacion dhe Kornizë Kushtetuese, i drejtuar nga Hydajet Hyseni, kryetari komisionit, ka pasur sot në një takim pune me udhëheqësin e Shtyllës së I-rë të UNMIK-ut, Jean Dussourd dhe me bashkëpunëtorët e tij, Nick Booth dhe Thomas Monaghan, lidhur me planin për bartjen e kompetencave për policinë dhe drejtësinë në Kosovë.
Bartja e kompetencave për policinë dhe drejtësinë
Shefi i Shtyllës së I-rë të UNMIK—ut, Jean Dussourd, e ka bërë të njohur para anëtarëve të Komisionit Legjislativ planin për bartjen e kompetencave për policinë dhe drejtësinë vendore në Kosovë.
Dy ministri tëreja
Ai ka pohuar se deri në fund të vitit do të krijohet Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Punëve të Brendshme ( Ministria e Rendit), por ka shtuar gjithashtu se jo të gjitha kompetencat do të barten që ditën e parë.
Në fillim të vitit 2006 do të vlerësohen përparimet e ministrive të reja dhe në muajt shkurt-mars, do të ndodhë transferimi shtesë i kompetencave, ka thënë ai.
Nuk barten kompetencat, të cilat kanë tipare të sovranitetit
Dussourd është shprehur qartë se kompetencat, të cilat kanë tipare të sovranitetit, ose ato të cilat nuk mund të transferohen pa ndikuar në kapacitetin e PSSP-së, nuk do tu barten as ministrive të reja.
Gjithsesi ai ka shtuar se transferimi i përgjegjësive do të shoqërohet me monitorim, me një politikë energjike përgjegjshmërie dhe me ndërtim të fokusuar kapacitetesh.
Në planin e prezantuar nga shefi i Shtyllës së I-rë të UNMIK—ut, Jean Dussourd, theksohet se me gjithë krijimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndihmëskomisioneri (vendor) i policisë (SHPK-së) do t’i përgjigjet komisionarit të policisë së UNMIK-ut.
Garanci të veçanta për minoritetet
Plani parasheh garanci të veçanta për minoritetet, si krijimin e Zyrave për ndërlidhje me gjykatat, krijimin e Këshillave komunalë për sigurinë e komunitetit dhe zgjedhjen e komandantëve të policisë nga komuna, sipas një liste të propozuar nga komisionari i policisë.
Udhëheqësit e Shtyllës së I-rë të UNMIK-ut nga anëtarët e Komisionit Legjislativ kanë marrë vërejtje për planin e prezantuar dhe u janë përgjigjur pyetjeve të shumta të tyre.