Lajmet e fundit

Deklaratë e nënkryetares së Komisionit për të drejtat dhe interesat e komuniteteve dhe kthim të Kuvendit të Kosovës , z. Sanije Aliaj

, 27.07.2005




Përkitazi me konferencën e sotme për shtyp të organizuar nga kryetari i Komisionit për të drejtat dhe interesat e komuniteteve dhe kthim të Kuvendit të Kosovës, z. Rangjel Nojkiqi, dhe disa anëtarë të këtij komisioni , nënkryetarja e këtij komisioni, Sanije Aliaj, dha një deklaratë në Zyrën për Media dhe Publikime të Kuvendit të Kosovës. Ajo theksoi se para kësaj konference të shtypit, në mbledhjen e sotme të Komisionit, shumica e anëtarëve të Komisionit kemi deklaruar se nuk jemi kundër organizimit të konferencës për shtyp, mirëpo ajo duhet të përgatitet më mirë, si dhe të të përgatitet një material nga ky Komision, i cili do të prezantojë punën gjashtëmujore të këtij Komisioni, si dhe vështirësitë me te cilat ballafaqohet në punën e tij. Mirëpo, me ketë rast nuk u arrit të përgatitet ky dokument nga ana e këtij Komisioni për t’ iu shpërndarë mediave.

Aliaj deklaroi se gjatë punës së deritashme Komisioni ka punuar me koncenzus të plotë në të gjitha çështjet e shtruara , duke e ilustruar këtë me faktin se nga ky Komision janë vlerësuar e përkrahur amendamentet e 42 projektligjeve , të cilat me asnjë nen nuk prekin interesat e komuniteteve, duke inicuar njëkohësisht edhe shume çështje që kanë të bëjnë me të drejtat e komuniteteve. Unë, tha Aliaj, nuk e mohoj të drejtën e anëtarëve të Komisionit për të organizuar konferenca për shtyp, për të prezantuar problemet e komuniteteve përkatëse para mediave, por nuk konsideroj se është mirë që dikush të japë vlerësime se Komisioni nuk e ka përkrahjen e institucioneve të Kosovës. Deri më tash ne kemi pasur përkrahje nga institucionet, por ne insistojmë në mënyrë të vazhdueshme që kjo përkrahje të jetë edhe më e madhe.