Lajmet e fundit
Nga mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës
, 29.07.2005
Kërkesa e Qeverisë së Kosovës, e nënshkruar nga kryeministri Kosumi, lidhur me emërimin e tre anëtarëve nga Kuvendi i Kosovës në Këshillin e Agjencisë kundër korrupsionit, ka qenë arsyeja për thirrjen e mbledhjes së Kryesisë së legjislativit të vendit, të cilën e ka drejtuar kryeparlamentari Nerxhat Daci.
Në kërkesën e Qeverisë thuhet se në bazë të Ligjit kundër korrupsionit dhe me qëllim të përmbushjes së standardeve, duhet të formohet Agjencia kundër korrupsionit, porse kësaj duhet paraprirë krijimi i Këshillit i cili do ta mbikëqyrë drejtpërdrejtë këtë agjenci.
Nuk është vendosur për emra konkret të kandidatëve
Në mungesë të kuorumit, Kryesia nuk ka vendosur për emra konkret të kandidatëve, por ka sugjeruar që grupet parlamentare nga radhët e pozitës t’i emërojnë dy anëtarë në Këshillin e Agjencisë kundër korrupsionit, kurse grupet parlamentare nga radhët e opozitës të përfaqësohen me një anëtar (pati propozim që pikërisht opozita të përfaqësohej me dy dhe pozita me një anëtar).
Në shkresën e Qeverisë bëhet me dije se në Këshillin e Agjencisë kundër korrupsionit me nga një anëtar do të përfaqësohen Zyra e Presidencës, Qeveria, Gjykata supreme, Zyra e Prokurimit Publik, udhëheqja lokale dhe shoqëritë civile.
Ka arritur raporti punën 100 ditëshe të Qeverisë
Kryesia është njoftuar se në Kuvend ka arritur edhe raporti i Qeverisë për punën e saj në njëqind ditët e para të mandatit, i cili pritet të shqyrtohet në Seancën plenare të 31 gushtit.