Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci priti Kryesinë e ASHAK-s
, 29.07.2005
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, ka pritur sot një kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, dr. Rexhep Ismaili, i cili shoqërohej nga anëtarët e Kryesisë së kësaj akademie, dr Besim Bokshi dhe dr. Hivzi Islami dhe ka biseduar me ta për vështirësitë me të cilat ballafaqohet institucioni më i lartë shkencori Kosovës, por edhe për mundësitë e angazhimeve të ASHAK-së në projekte të mëdha kombëtare.
Vonohet ngritja e godinës së re të Akademisë
Udhëheqësit e ASHKA-së, kanë vënë theksin në kushtet e vështira të institucionit, për mungesë të hapësirës dhe vonesën e ngritjes së godinës së re të Akademisë, me gjithë faktin që janë ndarë mjete e duhura financiare për te. Ata madje kanë shtuar se Komuna e Prishtinës nuk i ka spastruar çështjet pronësore-juridike për lokacionin e ndërtimit dhe për këtë arsye, mjetet e parapara për godinën ( prej një milion eurosh , për këtë vit), i janë kthyer Buxhetit të Konsoliduar të Kosovës.
Në takim është kërkuar mbështetja e Kuvendit të Kosovës për mënjanimin e këtyre vështirësive.
Daci angazhohet për mbarëvajtjen e punëve në Akademi
Kryeparlamentari Daci është shprehur se i kupton problemet serioze të ASHAK-së dhe është zotuar se do të angazhohet që punonjësit e Akademisë të kenë kushte për punë dhe krijimtari.
Për angazhim të ASHAK-së në projekte të mëdha të institucioneve të Kosovës
Në takim është folur edhe për rëndësinë e madhe të angazhimit të Akademisë në projekte të mëdha të institucioneve të Kosovës, por është thënë gjithashtu se institucioni më i lartë arsimor i Kosovës, në shumë raste, është lënë anash.
Drejtuesit e Akademisë e kanë vlerësuar shumë të rëndësishme sidomos përfshirjen e ASHAK-së, në përcaktimin e modaliteteve për Regjistrimin e popullsisë së Kosovës dhe të ekonomive familjare.