Lajmet e fundit

Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit pritën Sekretari Gjeneral të OSBE-së

, 12.08.2005




Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Xhavit Haliti, Ramë Buja dhe Gazmend Muhaxheri kanë pritur sot në një takim të përbashkët një delegacion të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian nga Viena, të kryesuar nga Sekretari Gjeneral i OSBE-së, z. Marc Perrin de Brichambaut në të cilin është biseduar për të arriturat dhe obligimet e institucioneve të Kosovës në avancimin e demokracisë, të lirive dhe të drejtave të qytetarëve dhe për përmbushjen e standardeve para fillimit të caktimit të statusit të Kosovës.

Punohet me të madhe për përmbushjen e standardeve

Fillimisht anëtari i Kryesisë, Fatmir Sejdiu, e ka njoftuar Sekretarin Gjeneral Të OSBE-së për punën që ka bërë legjislativi i vendit dhe për agjendën e punës së ngjeshur në të ardhmen. Ai ka theksuar se vazhdon të punohet me të madhe për përmbushjen e standardeve, që do të hapin udhën për zgjidhjen e statusit të Kosovës, konform vullnetit politik të popullit të saj, në mënyrë që Kosova të rrezatoj stabilitet për vete e për rajonin.

Subjektet politike, pos njerit, e  përkrahin pavarësinë e vendit

Sejdiu pastaj ka përkujtuar se 16 nga 17 subjektet politike që e përbëjnë Kuvendin e Kosovës, e përkrahin pavarësinë e vendit. Vetëm serbët, ka thënë ai, nuk e duan pavarësinë e Kosovës dhe shumica prej deputetëve nga radhët e këtij nacionaliteti vazhdojnë të bojkotojnë punën e institucionit, megjithëse ka shpresë që ky bojkot të ndërpritet, ka thënë Sejdiu.

Vlerësohet organizimi i zgjedhjeve por jo edhe sistemi zgjedhor

Edhe anëtarët tjerë të Kryesisë, Xhavit Haliti, Ramë Buja dhe Gazmend Muhaxheri kanë vlerësuar punën e OSBE-së për mbështetjen e institucioneve të vendit, sidomos për organizimin e zgjedhjeve në Kosovë, por ka pasur edhe kritika për sistemin e imponuar zgjedhor në Kosovë.

Në Kosovë janë arritur rezultate, por se ka edhe probleme

Ata kanë pohuar se në Kosovën e pasluftës janë arritur rezultate, por se ka edhe probleme të shumta, si mosndriçimi i rasteve të krimit të organizuar, korrupsionit etj, pastaj çështja personave të pagjetur që e rëndojnë jetën e qytetarëve dhe e vështirësojnë procesin e kthimit të të zhvendosurve.

OSBE-ja do të vazhdojë ta ndihmojë Kosovën

Sekretari Gjeneral i OSBE-së, z. Marc Perrin de Brichambaut, ka vlerësuar punën e kuvendit të Kosovës, sidomos hapjen dialogut edhe për çështje të nxehta. Ai është shprehur se OSBE-ja do të vazhdojë ta ndihmojë fuqizimin e kapacitetit të Kuvendit të Kosovës dhe të policisë, si dhe të mbështesë liritë dhe të drejtat e njeriut, të drejtat e minoriteteve dhe shtypin e lirë.

Brichambaut inkurajon dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit

OSBE, ka thënë z. Brichambaut do të ndihmojë sidomos në përmbushjen e standardeve për Kosovën, në mënyrë që të jetë e dobishme edhe kur UNMIK-u të moj jetë më këtu. Ai ka inkurajuar dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe ka apeluar që liderët serbë të Kosovës t’i kthehen procesit politik pozitiv në Kosovë.

Wnendt paralajmëron krijimin e një forumi zgjedhor

Shefi i OSBE-së në Kosovë, Werner Wnendt, i cili e shoqëronte delegacionin, e ka vlerësuar të rëndësishëm takimin dhe lidhur me sistemin zgjedhor në Kosovë ka paralajmëruar krijimin e një forumi zgjedhor, i cili do të evidentonte mangësitë e sistemit të tashëm dhe do të propozonte ndryshimet eventuale në te.

Anëtarët e Kryesisë së Kuvendit pritën Sekretari Gjeneral të OSBE-së