Lajmet e fundit

Fjala e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Akademik Nexhat Daci, në hapjen e Seminarit XXIV të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare

, 22.08.2005




Prishtinë. 22 gusht 2005

I nderuari drejtor i Seminarit
I nderuari Akademik Idriz Ajeti, Drejtor nderi i seminarit
Të nderuar pjesëmarrës
Të nderuar miq

Seminari i njëzet e katërt i Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare , një ngjarje shumë e rëndësishme e kulturës, që ka një traditë të gjatë, që tubon miqtë e studiuesit nga të katër anët e botës, që me rezultatet e veta jep një kontribut të çmueshëm në njohjen e popullit shqiptar, në lëvrimin dhe çuarjen përpara të kulturës shqiptare, në njohjen e vlerave tona dhe në forcimin e lidhjeve me botën, tash e disa vjet po mbahet në Kosovën e lirë. Kosova e lirë dhe e pavarur ishte një ideal i kamotshëm i shumë brezave gjatë historisë, sidomos ishte një përpjekje e gjithanshme e Rilindësve tanë, në Programin e madh për Çlirim Kombëtar, në mënyrë që populli shqiptar, ashtu si edhe popujt e tjerë të jetojë i lirë dhe i pavarur, zot në tokën e vet.

Të nderuar seminaristë
Rrethanat historike të kohës e deshën që shqiptarët si popull të mos e realizojnë shtetin e vet kombëtar, në kohën kur popujt e tjerë ia dolën kësaj. Megjithëkëtë, përpjekjet shekullore për të realizuar idealin e bashkimit kombëtar nuk u ndalën asnjëherë. Tashti, jo në formën e bashkimit territorial dhe të ndarjeve të reja e të dhunshme, por në formën e një bashkimi kulturor në vetëdijen se shqiptarët janë një komb, kanë një gjuhë, një shkrim, një kulturë dhe se të gjithë kudo që janë e pa marrë parasysh sa janë, kontribuojnë njësojë në lëvrimin e gjuhës dhe të kulturës shqiptare. Në këtë bazë sot nuk ka një qendër shqiptare, nuk ka një si Piemont shqiptar, sepse kontributi në zhvillimin e kulturës, në zhvillimin e vlerave kombëtare shqiptare bëhet edhe në Tiranë, edhe në Prishtinë, edhe në Shkup e Tetovë, edhe në Ulqin, edhe në Preshevë, edhe kudo në botë ku punojnë dhe jetojnë intelektualët shqiptarë dhe studiuesit e tjerë të Kulturës Shqiptare.

Të nderuar pjesëmarrës
Populli shqiptar është një popull evropian, është një popull i vogël që në rrethanat e historisë ka marrë nga pak nga të gjitha kulturat, si në Lindje, ashtu edhe në Perëndim dhe si një popull vital, i qëndrueshëm e kreativ që është, ka ruajtur unin e vet, ka krijuar dhe ruajtur identitetin e vet, duke dhënë kështu me veçoritë e veta, me kulturën e vet kontribut në kulturën evropiane dhe në civilizimin botëror.
Me këtë dua të them se kultura jonë nuk është arkaike dhe e mbyllur, se ideali ynë nuk është ngurtësimi i vlerave tona dhe mbyllja në vetvete, nuk është kthimi në të kaluarën dhe ekskluziviteti kombëtar. Vlerë jona, ashtu si ishte gjithmonë nga intelektualët tanë gjatë rrjedhave të historisë, është hapja ndaj kulturave të tjera, dhënia dhe marrja nga ato, lidhshmëria dhe ngjitja në ecuritë bashkëkohore civilizuese.
Studimi i Gjuhës dhe i Letërsisë Shqiptare, nuk është kthim mekanik në rrënjët tona, por është një kthim zhbirues në rrënjët e civilizimit botëror, sidomos atij evropian, është një rinjohje me vetveten, është një ritheksim i vlerave më të mira humane dhe kombëtare që neve si shqiptarë i kemi, pa marrë parasysh që jetojmë të ndarë administrativisht në shumë shtete, dhe që na i hapin dyert e Evropës, ku përherë e kishim dhe e kemi edhe sot vendin si komb dhe kulturë.

Të nderuar pjesëmarrës të Seminarit të XXIV të Gjuhës , Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare Kosova sot frymon lirshëm në saje të përpjekjeve shekullore për mëvetësi e liri, në saje të luftës së bijave dhe bijve tanë më të mirë, në saje të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në saje të intervenimit ushtarak ndërkombëtar të NATO-s, që si asnjëherë më parë bashkoi gjithë botën rreth një qëllimi.
Kosova me realitetin e krijuar tash e gjashtë vjet, së shpejti do të jetë shtet sovran dhe i pavarur, një shtet i përparuar e demokratik, si do të thoshin Rilindësit tanë, do të jetë një shtet evropian me standarde të larta të respektimit të drejtave dhe lirive të njeriut. Kosova nuk do të jetë shteti i dytë apo shteti tjetër shqiptar, ky nuk ishte asnjëherë synim gjatë historisë dhe nuk është as sot.
Kosova do të jetë shtet qytetar, si edhe të gjitha shtetet e tjera të Evropës, shtet në të cilin të gjithë do të jenë të barabartë, ku të gjithë do të kenë liri dhe të drejta të njëjta, pa marrë parasysh përkatësinë kombëtare fetare, rajonale apo tjetër. Kjo assesi nuk do të thotë se Kosova do të jetë e zhveshur nga atributet kombëtare, sepse nga askush nuk mund të fshehim faktin se në Kosovë mbi nëntëdhjetë për qind e popullsisë së gjithmbarshme janë shqiptarë, që është një përqindje e lartë edhe për shtetet më kombëtare.

Të nderuar pjesëmarrës,
Krejt në fund Ju dëshiroj suksese në punën Tuaj, ju dëshiroj që të kaloni mirë në Kosovë, që gjatë këtyre ditëve të forconi miqësitë e vjetra dhe të krijoni ato të rejat, që të kënaqeni me bukuritë e Kosovës, me kulturën dhe traditën e saj, që të thelloni njohuritë dhe studimet tuaja . Ju faleminderit.

Fjala e Kryetarit të Kuvendit të Kosovës,  Akademik Nexhat Daci, në hapjen e Seminarit  XXIV të Gjuhës, Letërsisë dhe Kulturës Shqiptare