Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci priti shefin e Zyrës Gjermane në Kosovë, z. Jurgen Engel
, 22.08.2005
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci priti sot në një takim lamtumirës shefin e deritashëm të Zyrës Gjermane në Kosovë, z. Jurgen Engel. Në këtë takim u shpreh kënaqësi e dyanshme për bashkëpunimin që zhvillohet ndërmjet Zyrës Gjermane dhe Kuvendit të Kosovës, e në këtë rrjedhë edhe për mbarë bashkëpunimin që zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Qeverisë së Gjermanisë.
Kryeparlamentari Daci duke e falënderuar z. Engel për kontributin e tij në këto rrjedha, theksoi se ai e ka ngritur imazhin e Gjermanisë në Kosovë, se me punën dhe angazhimin e tij në Grupin e Kontaktit dhe me institucionet e Kosovës ka ndikuar pozitivisht në rrjedhat politike në vend. Shih për këtë deputetët e Gjermanisë dhe diplomatët gjermanë gjithnjë i kanë dyert e hapura në Kuvendin e Kosovës.
Duke folur për proceset aktuale politike në Kosovë, z. Engel tha se institucionet e Kosovës duhet t’ i kushtojnë kujdes të posaçëm pozitës së minoriteteve në shoqëri. Ai pastaj u shpreh se duhet të bëhen përgatitje për fillimin e bisedimeve për statusin final të Kosovës, ndërsa pas zgjidhjes së statusit çështje kryesore mbetet zhvillimi ekonomik i Kosovës. Në këtë vështrim një nxitje për thellimin e bashkëpunimit ekonomik do të jepte hapja e Zyrës Ekonomike të Kosovës në Gjermani, ndaj edhe është e udhës që kjo zyrë të hapet në këtë shtet, theksoi z. Engel.
Zgjidhja e statusit final të Kosovës është biletë për të hyrë në spektakël, pa këtë nuk mund të hyhet në kurrfarë procesi. Kjo shtron nevojën e ngutshme për zgjidhjen e statusit, sepse pa u bërë kjo nuk ka as zhvillim ekonomik, theksoi kryeparlamentari Daci.