Lajmet e fundit
Takim i kryeparlamentarit Daci me udhëheqës nga Lugina e Preshevës
, 23.08.2005
Proceset aktuale politike në Rajon, demokratizimi i këtyre proceseve, si dhe çështja e regjistrimit të studentëve, gjithnjë aktuale, posaçërisht në prag të vitit të ri akademik, ishin tema bosht të takimit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, me kryetarët e komunave të Preshëvës dhe të Bujanocit, përkatësisht z. Riza Halimin dhe z. Nagip Arifin.
Përpjekjet e bashkëbiseduesve ishin orientuar në gjetjen e mundësive për një përfshirje sa më të gjerë të maturantëve nga Lugina e Preshevës në fakultetet e Universitetit të Prishtinës, mundësisht edhe përcaktimi i një kuote sa më adekuate për studentë të rinj nga ky Rajon, i cili nuk ka universitet në gjuhën shqipe. Përkitazi me këtë, akademik Nexhat Daci theksoi se janë duke u bërë përpjekje të mëdha për të siguruar sa më shumë vende për studentë nga Lugina e Preshevës. Studentët nga kjo anë, por edhe ata nga Maqedonia dhe Mali i Zi gjithnjë kanë preokupuar strukturat përkatëse në UP. Për këtë çështje, tha kryeparlamentari kam biseduar edhe me kryeministrin, që bashkë me ministrin e arsimit të gjendet një zgjidhje sa më e mirë.
Në vijim kreu i legjislativit të Kosovës pohoi se mbështet proceset e demokratizimit dhe të decentralizimit në Luginën e Preshevës dhe përgjithësisht në Rajon. Ishte një kërkesë në media që Banja e Siarinës të bëhet komunë, ne do ta mbështesim atë kërkesë të popullatës shqiptare, sepse është kusht për kthimin e të zhvendosurve, sikurse po e mbështesim procesin e decentralizimit në Kosovë. Përkrahim të gjitha proceset demokratike, ashtu si edhe kërkesën për hapjen e Universitetit shqiptar në Luginën e Preshevës. Ne nuk i inkurajojmë këto procese, por i përkrahim, theksoi Daci.
Atë që jemi të gatshëm dhe që ua kemi dhënë minoritetit serb në Kosovë, popullata shqiptare, kudo që është, duhet ta gëzojë atë të drejtë demokratike. Udhëheqësit nga Lugina e Preshevës theksuan se janë të natyrshme lidhjet kulturore të kësaj ane me Kosovën, ndërsa gjithnjë janë për zgjidhje demokratike në realizimin e të drejtave kolektive.