Lajmet e fundit
Kryeparlamentari Daci priti deputetin Gjergj Dedaj
, 25.08.2005
Çështjet aktuale politike, të statusit, puna e Parlamentit të Kosovës, financimi i partive politike, ishin tema kryesore të takimit të sotëm të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, me deputetin e Kuvendit të Kosovës, Gjergj Dedaj, kryetar i Partisë Liberale të Kosovës, parti kjo evropiane, me një përvojë 15 vjeçare, e cila mund të kontribuojë shumë në rrjedhat politike në Kosovë.
Gjergj Dedaj në fillim shprehu mospajtim me disa çështje, pasi nuk iu ka dhënë mundësia që të jetë anëtar në asnjë komision e nuk është i kënaqur as me financimin e partive të vogla. Në bazë të kësaj, ai ndihet si i lënë anash. Dedaj kërkoi që diskutimet në Parlament të bëhen mbi bazën e partive politike. Në vijim ai shprehu disa qëndrime politike, si: Forumi Politik është jo legal, është substitut i institucioneve . Ai shprehu mendimin se për çështjen e statusit të Kosovës nuk kemi çka të bisedojmë me askënd. Së pari duhet të bëhet njohja formale e Pavarësisë së Kosovës e pastaj kush dëshiron mund të bisedojë sa të dojë. Kuvendi është organi më i lartë përfaqësues, ndaj edhe duhet të jetë subjekt kryesor për të gjitha çështjet.
Kryeparlamentari Daci theksoi se për çështjen e financimit të partive të vogla ka vendosur Kryesia e Kuvendit, ndërsa ai personalisht, kishte qëndrim për të përcaktuar një kuotë financiare për këto parti, por vendimi u mor në saje të votave. Ndërkaq, sa i përket radhitjes së deputetëve për diskutim, kreu i legjislativit theksoi se kjo çështje është përcaktuar me Rregullore. Por, kur bëhet fjalë për çështje politike, atëherë iu jepet fjala deputetëve sipas partive politike. Sa i përket anëtarësimit në komisione, Daci tha se sipas Rregullores nuk mund të bëhet anëtar deputeti që nuk i përket ndonjë grupi parlamentar . Ai tha se për këtë çështje Dedaj mund t’i shtrojë kërkesë Kryesisë së Kuvendit të Kosovës . Në vazhdim kryeparlamentari Daci tha se Pavarsia e Kosovës është e panegociueshme , Forumi Politik nuk e ka legalitetin dhe legjitimitetin institucional.
Gjergj Dedaj me këtë rast shtroi edhe çështjen e zyrave për nevoja të deputetëve. Përkitazi me këtë, kryeparlamentari Daci theksoi se ato do të sigurohen pasi të lirohen zyrat, që tash për tash i shfrytëzon Qeveria e Kosovës.