Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci dhe Komisioni për bashkëpunim Ndërkombëtar pritën kongresmenin Dana Rohrabacher

, 26.08.2005




Kryetari i Kuvendit të Kosovës , Nexhat Daci, dhe anëtarët e Komisionit për bashkëpunim ndërkombëtar, të kryesuar nga Sabri Hamiti, u takuan sot me kongresmenin Dana Rohrabacher –republikan nga Kalifornia, anëtar i Komisionit për çështje ndërkombëtare në Dhomën e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës , si dhe anëtar i Lidhjes Qytetare Shqiptaro - Amerikane, i shoqëruar edhe nga Xhozef e Shërli Diogardi e veprimtarë tjerë të kësaj Lidhjeje .

Është kjo një ditë e bukur nga fakti se në mesin tonë kemi admiruesin e proceseve demokratike, kongresmenin Dana Rohrabacher dhe mysafirët tjerë, për të shprehur mirënjohjen tonë për të gjitha atë që ka bërë dhe po bën Kongresi Amerikan dhe Qeveria e SHBA-ve për përkrahjen e Kosovës në rrugën e saj të thellimit të proceseve demokratike dhe zgjidhjes së statusit final. Përkrahja amerikane na duhet gjithnjë, pra edhe pasi Kosova të realizojë ëndrrën e saj për pavarësi, na duhet përkrahja për zhvillim ekonomik, por edhe për luftimin e krimit. Kosova dëshiron të jetë e qetë, për të jetuar në marrëdhënie të mira me fqinjët , pra edhe me Serbinë. Këto ishin disa nga konstatimet e kryeparlamentarit Nexhat Daci gjatë këtij takimi.

Në vijim kryetari i Komisionit për bashkëpunim ndërkombëtar të Kuvendit të Kosovës , Sabri Hamiti, theksoi se në kohën kur shtohet prania e diplomatëve ndërkombëtarë në Kosovë, në anën tjetër kemi një restrikcion të pranisë kosovare në botë, që vjen si pasojë e mungesës së kompetencave dhe të ministrisë përkatëse. Tani jemi në një fazë kur duhet të bëhet një saktësim i statusit të Kosovës, që është pavarësia, e cila është një kompromis nacional i shqiptarëve. Statusi i pa definuar është bërë pengesë për zhvillimin e Kosovës, zgjidhja e statusit do të ishte fund i krizave në Rajon. Çështja e Statusit nuk duhet të kushtëzohet me standardet, megjithëse ne i kemi pranuar ato, sepse kjo do të shkonte deri në skajshmëri. SHBA-të janë të adhuruara nga qytetarët e Kosovës në mënyrë racionale, madje edhe deri në shkallë iracionaliteti, por ky adhurim mund të kthehet në dëshpërim nëse qytetarët shohin se nuk po realizohen synimet e tyre për pavarësi.

Kongresmeni Dana Rohrabacher theksoi se Kosova duhet të jetë e lirë dhe e pavarur, njerëzit e këtushëm duhet të kontrollojnë jetën e tyre, ata duhet të përcaktojnë politikat në këtë vend. Duke folur për kontributin amerikan për avancimin e mbarë proceseve në Kosovë, Rohrabacher tha se nuk ka kongresmen amerikan që nuk di për Kosovën, ndërsa disa nga ata kanë edhe lidhje miqësore e familjare me njerëz nga Kosova. Rohrabacher në vijim foli për një angazhim shumë më të madh në periudhën e ardhshme , sepse nuk do të ketë stabilitet derisa sa nuk do të zgjidhet statusi i Kosovës. Ajo që na bashkon në të gjitha këto zhvillime aktuale është ideja se njerëzit kanë të drejtë të kontrollojnë fatin e tyre, janë vlerat e përbashkëta, ndaj në këtë frymë duhet të kuptojmë se cili është vullneti i popullit të Kosovës.

Kryeparlamentari Daci duke shprehur solidaritetin me angazhimet e SHBA-ve, theksoi se Presidenti, Parlamenti dhe Qeveria e Kosovës kanë qenë të një mendjeje që në kuadër të forcave ndërkombëtarë në Afganistan dhe në Irak të dërgohen edhe pjesëtarë të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, por kjo nuk u bë vetëm për shkak të relacioneve që kemi me UNMIK-un, duke marrë si përgjigje se nuk jemi shtet.

Në diskutimin e tij edhe Xhozef Diogradi u angazhua për zgjidhje sa më të shpejtë të statusit të Kosovës. Populli i Kosovës, theksoi ai, ka mbajtur referendumin për pavarësi, atëherë pse edhe më tutje u dashka të mbahet peng ai. Ne kemi mbledhur një milion nënshkrime nga qytetarët e Kosovës për pavarësinë e Kosovës dhe ato do t’ i a dorëzojmë Shtëpisë së Bardhë, tha ai.

Me këtë rast deputeti Emrush Xhemajli me disa fjalë prezantoi projektin e LPK-së për Unionin Kosovë- Shqipëri.

Kryeparlamentari Daci dhe Komisioni për bashkëpunim Ndërkombëtar pritën kongresmenin  Dana Rohrabacher