Lajmet e fundit

Kryeparlamentari Daci priti PSSP-në, Petersen

, 31.08.2005




Në kuadër të takimeve të rregullta, kryetari i Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, priti sot Përfaqësuesin Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, z. Soren Jessen-Petersen. Me këtë rast u bisedua për situatën aktuale politike në Kosovë, si dhe për rrjedhat e punës në Kuvendin e Kosovës.

Vrasja e dy serbëve dhe plagosja e dy të tjerëve e ka rënduar situatën e mirë të sigurisë që ka ekzistuar në Kosovë. Shih për këtë, është i domosdoshëm një mobilizim më i madh i të gjitha strukturave dhe ndihma e qytetarëve, që kryesit e këtyre veprave kriminale të zbulohen dhe të marrin dënimet më të rënda, u theksua në këtë takim.

Në vijim vëmendja e bashkëbiseduesve u përqendrua në ecuritë e periudhës së parë të bartjes së kompetencave , e cila duhet të vazhdojë. Në këtë frymë u konstatua se Parlamenti i Kosovës do të përfshihet në proceset e krijimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Ministrisë së Drejtësisë. Po kështu, Parlamenti do të krijojë strukturat përkatëse për kontroll parlamentar të këtyre ministrive , por edhe të Qeverisë së Kosovës në përgjithësi.

Përkitazi me Forumin Politik u tha se ai është një nismë për arritjen e koncenzusit dhe krijimin e një klime të shtensionimit politik, që ishte më se i nevojshëm . Mirëpo, ky Forum nuk është substituim i organeve të zgjedhura të Kosovës dhe nga askush nuk mund të shfrytëzohet , as kundër Qeverisë , as kundër organeve të tjera.

Kryeparlamentari Daci, duke folur rreth disa aspekteve të punës së ardhshme të Kuvendit të Kosovës , e njoftoi kryeadministratorin e Kosovës për mbledhjen e 5 shtatorit të Kuvendit, e cila do t’ i kushtohet Nënës Terezë, si dhe për mbledhjen tjetër të rregullt, në të cilën do të bëhet fjalë për punën njëqind ditëshe të Qeverisë së Kosovës, si dhe me procedimin e mëtejmë të rregullt të ligjeve.

Në këtë takim u theksua se është i nevojshëm një harmonizim i mëtutjeshëm i bashkëpunimit ndërmjet Parlamentit dhe UNMIK-ut, në mënyrë që ligjet e miratuara nga ky institucion më i lartë i vendit, të nënshkruhen në procedurë të shpejtë nga ana e kryeadministratorit.
Kryeparlamentari Daci priti PSSP-në, Petersen