Lajmet e fundit

Dy komisione të Kuvendit shqyrtuan çështjen e bartjes së kompetencave në fushën e sigurisë

, 31.08.2005




Ekziston një gatishmëri politike, si në Nju- Jork, ashtu edhe në Kosovë, për bartje të kompetencave në fushën e sigurisë. T’ i besohet popullit të Kosovës, çështja e kompetencave të mos kuptohet vetëm si dekorim, por të barten përgjegjësitë në pjesën dërrmuese, pra pos një doze të vogël që do të mbeten edhe më tutje përgjegjësi e PSSP-së. Në këtë frymë tashmë ka filluar një dinamikë më e përshpejtuar e aktivitetet për bartjen e kompetencave. Shkalla e intensitetit të këtyre punëve do të jetë gjithnjë në rritje deri në formimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Këto ishin disa nga konstatimet nga mbledhja e përbashkët e Komisionit për Gatishmëri Emergjente dhe Komisionit për shërbime publike, administratë lokale dhe media i Kuvendit të Kosovës, të prire nga kryetarët e këtyre komisioneve Naim Maloku dhe Nekibe Kelmendi. Në këtë takim, ku ishin të pranishëm edhe shefat e grupeve parlamentare, udhëheqësi i Shtyllës I të UNMIK-ut, z. Jean Dussourd, si dhe përfaqësues të OSBE-së dhe Policisë së UNMIK-ut, u bë fjalë lidhur me procesin e bartjes së kompetencave në fushën e sigurisë.

Gjendjen e sigurisë në Kosovë duhet ta marrin në duar vetë kosovarët për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në të gjitha strukturat e ardhshme në fushën e sigurisë të përfshihen edhe pjesëtarët e minoriteteve, përkatësisht të sigurohet qasje e barabartë në polici dhe drejtësi, të garantohet jeta e gjithë qytetarëve. Shërbimi Policor i Kosovës duhet të jetë një, pra duhet të shpërbëhen strukturat paralele. Gjithë ky transfer i kompetencave do të bëhet hap pas hapi , theksoi , z. Jean Dussourd, duke folur rreth parimeve kryesore që duhet zbatuar gjatë bartjes së kompetencave, përkatësisht formimit të Ministrisë së Sigurisë.

Me këtë rast u zhvillua një debat i gjerë, i cili do të vazhdojë edhe më tutje, duke u ndalur në përcaktimin zgjidhjeve sa më të mira në bartjen e kompetencave, sidomos rreth Projektrregullores për Shërbimin Policor të Kosovës, që sipas Naim Malokut, do të duhej të përdorej termi Polici e Kosovës. Nga ana e diskutueseve kishte vërejtje të shumta se me disa zgjidhje që ofroheshin nga Plani për bartje të kompetencave kishte edhe kthim prapa, në vitin 1975, ose edhe në vitin 2000-2001.

Dy komisione të Kuvendit shqyrtuan çështjen e  bartjes së kompetencave në fushën e sigurisë