Lajmet e fundit
Kryetari i Kuvendit të Kosovës u takua me ministren e Mbrojtjes së Francës
, 01.09.2005
Sot, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, akademik Nexhat Daci, pati një takim në ambientet e Komandës së KFOR-it Francez me Ministren e Mbrojtjes së Francës Michele Aliot Marie.
Ministrja e Ministrisë së Mbrojtjes së Francës u interesua për gjendjen e përgjithshme, për çështjen e funksionimit të institucioneve , për çështjen e statusit dhe të ardhmen e Kosovës.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Nexhat Daci, theksoi se gjendja e përgjithshme në Kosovë është e mirë, se ka përparime të vazhdueshme në të gjitha fushat dhe se institucionet dhe populli i Kosovës kanë kapacitete dhe resurse për ta qeverisur mirë veten, si një shtet normal i rajonit dhe nuk ka më nevojë për administrim ndërkombëtar.
Është konsensus i përgjithshëm i gjithë spektrit politik të Kosovës, pos subjektit politik që përfaqëson serbët, se Kosova duhet të jetë shtet sovran dhe i pavarur dhe se pavarësia e Kosovës është e panegociueshme.
Kryetari Daci shprehu falënderimet për KFOR-in Francez dhe për angazhimin e komandantit të deritashëm të KFOR-it, gjeneralit Iv de Kermabon në veçanti, që e gëzojnë respektin e madh të gjithë popullit.
Gjendja ekonomike dhe problemet sociale janë ato që na brengosin, ndërsa qasja e lirë e Kosovës në fondet ndërkombëtare për marrjen e kredive do të ndihmonte zhvillimin ekonomik dhe të përgjithshëm të Kosovës, theksoi ndër të tjera kryetari i Kuvendit Nexhat Daci.
Ministrja franceze Michele Aliot Mari theksoi se Kosova është një vend shumë i rëndësishëm për Bashkimin Evropian, i cili është jetësisht i interesuar për te, si zonë e sigurisë së mirë dhe e prosperitetit. Në këtë frymë shtetet evropiane janë të interesuara t’ iu ndihmojnë autoriteteve kosovare që të avancojnë standardet dhe të arrijnë përparim.
Ministrja franceze gjithashtu u interesua për mundësitë dhe kapacitetet e Kosovës që t’ i kthejnë qytetarët e vet nga vendet evropiane , t’ i integrojnë në shoqërinë kosovare dhe të përfitojnë nga investimet e kapitalit , të dijes dhe të përvojës së tyre.